“Ne kemi 10 ditë që kemi ardhur dhe jemi shumë të kënaqur që vizituam Shqipërinë. Është një vend shumë i bukur.”
Kështu u shpreh një turist i huaj që po kalon pushimet verore në bregdetin e Sarandës, por që nuk ka lënë pa vizituar as Butrintin.
“Turistët që po pushojnë në bregdetin e Sarandës e të Ksamilit nuk mund të shpreheshin më të kënaqur me zgjedhjen e tyre të kësaj vere për plazhet, mikpritjen, peizazhet, po edhe atraksionet historike e kulturore siç është Butrinti i mahnitshëm”, shkruan Rama.
Një turist i huaj tha se, “më pëlqen përqasja që kanë njerëzit këtu, duket sikur askujt nuk i intereson për asgjë. Të gjithë argëtohen këtu dhe më pëlqen kjo gjë. Më pëlqen ky vend kaq mikpritës, ndihem jashtëzakonisht mirë”.
Një turiste e huaj tha se “më pëlqen shumë këtu dhe ta mendosh nuk është as shtrenjtë. Deti është shumë i bukur, si Maldive. Bëmë turin me anije sot dhe ishte vërtet shumë mirë”.
“Deti është shumë i bukur, në asnjë vend nuk është kaq blu sa këtu”, tha një turist.
Vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti Shqipëria u vizitua nga 4.5 milionë turistë të huaj./ATSH./