Rama: Mbi 25% e të punësuarve kapërcyen nivelin e pagës minimale

Rama: Mbi 25% e të punësuarve kapërcyen nivelin e pagës minimale

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se pasqyra e shifrave të pagave që u bënë edhe publike, nuk ishte pasqyra reale dhe se vetëm nga korrektimi i bërë nën presionin e opinionit publik mbi bizneset, por edhe si rezultat i një shtyse nga autoritetet u arrit të kemi një rritje të pagës mesatare.

Gjatë një takimi me një përfaqësi të biznesit, sa i përket çështjes së informalitetit dhe formalizimit të pagave, kryeministri u shpreh se pas këtij moment, mbi 25 % e të punësuarve kapërcyen nga niveli i pagës minimale, në një nivel më të lartë, që do të thotë se ata nuk merrnin në fakt pagën minimale të deklaruar, por merrnin më shumë.

Ndërkohë, vuri në dukje Rama, perceptimi negativ mbi ekonominë dhe mbi biznesin vetë, për shkak të këtyre deformimeve ishte prezent shumë më tepër se sa duhej, sesa kishte lidhje me realitetin.

“Ju të gjithë e keni parasysh se çfarë efekti pati dalja e pagave në publik, që përveç anës së vet negative, kishte edhe një anë jo të vogël pozitive, sepse i gjithë opinioni publik u ballafaqua me një realitet, i cili pavarësisht pretendimeve në vite, ishte pasqyrë e një deformimi të madh, për të cilin ne kemi qenë të vetëdijshëm”, u shpreh Rama.


Rama tha se në përgjigje të kësaj situate u ngrit Njësia Speciale Antiinformalitet për të zhvilluar një proces kontrolli të detajuar dhe për të dhënë një analizë të detajuar të situatës.

“Punën kryesore e bëri komunikimi intensiv i Tatimeve me biznesin. Dhe faktikisht kërkesa e përsëritur që të gjitha bizneset të rishikojnë situatën me pjesën informale të pagave ka dhënë rezultate shumë domethënëse, të cilat nga njëra anë tregojnë se pasqyra formale zyrtare e shifrave të pagave, që u bënë edhe publike, nuk është pasqyra reale dhe se vetëm nga ky korrektim i bërë nën presionin e opinionit publik mbi të gjitha bizneset, por edhe si rezultat i një shtyse të fortë që ne u munduam të japim komunitetit të biznesit, të kemi një rritje të pagës mesatare në Republikën e Shqipërisë. Kemi mbi 25 % të të punësuarve që kanë kapërcyer nga niveli i pagës minimale, në një nivel më të lartë, që do të thotë se ata nuk merrnin në fakt pagën minimale të deklaruar, por merrnin më shumë. Dhe ndërkohë perceptimi negativ mbi ekonominë dhe mbi biznesin vet, për shkak të këtyre deformimeve, ishte prezent shumë më tepër se sa duhej, sesa kishte lidhje me realitetin”, deklaroi Rama.

Kryeministri vuri në dukje se impakti i kësaj ngjarjeje dhe punës së bërë pas kësaj ngjarjeje dhe pranueshmërisë së lartë që gjeti komunikimi ynë me biznesin të cilit i kërkuam korrektim pagash rezultoi i suksesshëm në këtë faze

“Duke parë këtë eksperience, e cila erdhi si rezultat i një ngjarjeje aspak të dëshiruar, dalja e pagave në publik, mendoj se është e rrugës që në këshillimin e ardhshëm kombëtar të pyesim shqiptarët se mos është më mirë që pagat të bëhen publike. Përmes transparencës dhe presionit pozitiv të nevojshëm mbi gjithë komunitetin e biznesit ne mendojmë se kjo është e vërtetë, sepse shikojmë që impakti i kësaj ngjarjeje dhe punës së bërë pas kësaj ngjarjeje dhe pranueshmërisë së lartë që gjeti komunikimi ynë me biznesin të cilit i kërkuam korrektim pagash rezultoi i suksesshëm në këtë fazë”, u shpreh kreu i qeverisë.

Sipas Ramës, ideja që pagat të bëhen publike, çdo vit është një ide për të cilën ia vlen të konsultohet me opinionin publik. (ATSH)

Lexo edhe

Video