Shqipëria dhe Bullgaria nënshkruan marrëveshjen për sigurimet shoqërore e cila rregullon sigurimin e shtetasve të Bullgarisë dhe Shqipërisë kur punojnë në vendet respektive.
Duke vlerësuar nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “Shqipëria shënon një tjetër sukses në njohjen e sigurimeve shoqërore për shtetasit shqiptarë jashtë vendit”.Ministri bullgar i Punës dhe Politikave Sociale, Lazar Lazarov nënshkroi të enjten Marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore me Shqipërinë. Dokumenti u iniciua në prani të ambasadores shqiptare Donika Hoxha. Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj.
“Nënshkrimi i Marrëveshjes dypalëshe është i rëndësishëm për rregullimin e të drejtave sociale të qytetarëve dhe rregullimin e marrëdhënieve mes institucioneve dhe bizneseve”, sqaroi Lazarov.Dokumenti rregullon sigurimin e shtetasve bullgarë dhe shqiptarë kur punojnë në të dy vendet, garanton të drejtat e tyre të sigurimit dhe përcakton procedurën e dhënies dhe pagesës së përfitimeve për sëmundjet dhe lehoninë, aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale.
Ai gjithashtu rregullon kushtet për dhënien dhe pagesën e llojeve të ndryshme të pensioneve, invaliditeti për shkak të sëmundjes së përgjithshme, invaliditetit për shkak të aksidenteve dhe sëmundjeve në punë si dhe pensionet e të mbijetuarve.
Ambasadorja Donika Hoxha vuri në dukje se në Bullgari janë 500 shtetas shqiptarë me qëndrim të përhershëm dhe rreth 300 studentë. /ATSH/