Rama: Lëvizja do të jetë pa pagesë përgjatë qarkores njëkaheshe në Prishtinë

Kryetari i Komunës Prishtinës Përparim Rama ka deklaruar se testimi i dytë i unazës qarkore njëkahëshe sot ka shkuar më mirë se në testimin e kaluar, derisa ka shkuar se po fitojnë hapësirat e humbura për qytetarët.

Rama ka thënë për KosovaPress, se qasja në trafik në dallim nga testimi i kaluar është më lehtë. Ai ka shtuar se hapësirën e biçikletave e cila është humbur, po mundohen ta rifitojnë përsëri.

“Testimi po shkon shumë më mirë se herën e parë. Kjo qasja e trafiku është shumë më e lehtë dhe më e shpejtë. Po ashtu, duhet të kemi parasysh se tash e kemi edhe një rrugë e cila është e posaçme vetëm për biçikleta, kryeqyteti e ka fituar një hapësirë shumë më të madhe për qytetarët e Prishtinës….ne kemi bërë analiza me ekspertë ndërkombëtare dhe e kanë parë që çdo matje tregon që ka përmirësim të dukshëm dhe pika kryqe është që ne po e fitojmë hapësirën të cilën e kemi humbë në relacion me makinat, po krijojmë një mundësi tjetër alternativ më të lehtë për qytetarët e Prishtinës”, ka thënë Rama.

Rama ka thënë që zgjatjen e sheshit “Nëna Tereza” deri te katedralja e sheh si të arsyeshme, derisa theksoi se do të këtë aktivitete të ndryshme për gjatë vikendit.


“Në qendër të kryeqytetit e kemi zgjatur sheshin “Nëna Terezë”, deri te katedralja. Këtu sot ka evente të ndryshme luhet futboll, basketboll. Kemi ngjarje të ndryshme për me festuar pranverën, kryeqytetin. Është një numër i madh i aspekteve pozitive që janë duke ndodhur në kryeqytet…. deri sot qytetarët nuk pas ku t’i dërgojnë fëmijët e tyre, ku të ecin lirshëm, tash kemi hapësira të ndryshme që janë të sigurta”, ka theksuar Rama.

Sipas tij, trafiku urban për gjatë vikendit ka qenë pa pagesë për të shtuar fluksin e qytetarëve të dalin pa makinat e tyre, ndërsa për qarkoren njëkahëshe ka shtuar se trafiku urban do të jetë pa pagesë.

“Ne në qarkoren që sillet përreth, kemi me pas autobusë të dedikuar të cilin do ta bëjmë pa pagesë. Qytetarët mund të kenë mundësi të lëvizin pa pagesë për gjatë qarkores njëkaheshe, nuk do të kenë nevojë të marrin makinën e tyre në qendër të Prishtinës”, tha ai.

Rama ka folur edhe për rrugën “Muharrem Fejza”, ku tha se përveç asfaltimit të cilin e kanë bërë, kanë arritur të krijojnë edhe hapësira të gjelbra për qytetarët e asaj zone.

“Rruga “Muharrrem Fejza” ka pasur probleme të shumta, ne kur e kemi marrë në menxhmentin e kryeqytetit kemi parë që ka qenë totalisht e shkatërruar, jo mirë e planifikuar, është deshtë të ndërmarrim masa drastike dhe për kundër probleme të cilat kemi pasur së fundmi kemi gjetur zgjidhje për të mirën e qytetarëve në rrugën “Muharrem Fejza”. Po ashtu përveç asfaltimit të cilit i kemi bërë, kemi krijuar edhe hapësira të gjelbrta, tash jemi duke e bëre edhe dizajnin e Landscape të hapësirave publike për drunjtë të ri në atë rrugë”, tha Rama.

Lexo edhe

Video