Kryeministri i Shqipërisë, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se, lufta ndaj informalitetit do të ngrihet në një nivel të ri, në emër të pensionistëve dhe për pensionistët.
Në fjalën e tij në Asamblenë Kombëtare të PS-së në Durrës, Rama u shpreh se, “për pensionistët, kemi bërë sa kemi mundur, asnjëherë sa kemi dashur dhe të paktën nuk na ka gënjyer kurrë mendja se kemi bërë sa duhet”.“Javën e dytë të muajit të ardhshëm ne do të nisim, jo vetëm të ndajmë me pensionistët një pasqyrë të të dhënave dhe të ideve tona për rritjen e pensioneve, në rrugën e Shqipërisë 2030, por do të fillojmë edhe informimin mbi zbatimin e një plani kombëtar për garantimin e sigurimeve shoqërore. Ky plan, për të cilin po punohet prej muajsh nga një grup institucionesh dhe ekspertësh nën drejtimin e MEKI, do të synojë pikërisht përfshirjen e pensionistëve në ndarjen e të ardhurave të rritjes ekonomike, për të shkuar përtej nivelit aktual të bonusit të fundvitit dhe indeksimeve të përvitshme të pensioneve”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se, “rritja e të ardhurave nga shteti për pensionistët në vitet në vijim nuk mund të jetë domethënëse nëse nuk i japim të gjithë bashkë, si shtet, si qeveri, si shoqëri e posaçërisht si sipërmarrje një goditje domethënëse fenomenit të neveritshëm të fshehjes së pagave reale, të cilat për pasojë godasin në mënyre të drejtpërdrejtë të ardhurat për sigurimet shoqërore dhe vjedhin çka u takon pensionistëve”.“Jemi sot vendi me taksat dhe me sigurimet shoqërore dhe shëndetësore më të ulëtat në rajon. Nuk ka asnjë vend në Ballkanin Perëndimor se nuk po shkoj në Evropë se është e kotë t’i hysh krahasimeve, ku biznesi i vogël të ketë zero tatim fitimi dhe zero tvsh. Nuk ka asnjë vend në rajonin tonë që tvsh-në e turizmit ta ketë 6% dhe pagat e deklaruara në industrinë e turizmit t’i ketë shpeshherë më shumë se gjysma e pagave reale. Nuk ka asnjë vend në rajon me të ardhurat që kemi ne nga sektori i ndërtimit në raport me PBB-në dhe pagat e deklaruara të sektorit të ndërtimit t’i ketë kaq më të ulëta sesa ne krahasuar me pagat reale”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se, ky fenomen shtrihet pak a shumë në të gjithë sektorin privat dhe ka ardhur koha që lufta ndaj tij të ngrihet në një nivel të ri, jo në emër të informalitetit, por në emër të pensionistëve, për pensionistët.
“Ndërsa vetë pensionistët duhet ta dinë dhe do ta shohin konkretisht në angazhimin dhe në veprimet tona se nga njëra anë lufta frontale kundër informalitetit të pagave për punonjësit e sektorit privat do të jetë e gjithanshme dhe nga ana tjetër ne do të fillojmë ta rrisim bonusin për ta qysh këtë fundvit”, tha Rama./ATSH