Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka reaguar ndaj djegies së karrigeve të Kuvendit nga deputetët e opozitës PD-së.
Për aktet e dhunës dhe zjarrin që iu vu karrigeve jashtë parlamentit të Shqipërisë, Rama tha se kjo ishte revoltë e opozitës ndaj vendimit të Gjykatës.
Kryeministri Rama theksoi se përmes këtyre pamjeve mund të shihet roli që ka politika. Sipas tij politika siç e ka fuqinë të ndërtojë, ka fuqinë edhe të shkatërroj.
“Pse e solla këtë imazh. E solla këtu sepse dua të them pak fjalë për politikën. Siç ka fuqinë e jashtëzakonshme të ndërtojë, politika ka edhe fuqinë demoniake të shkatërroj. Siç ka fuqitë e jashtëzakonshme të shërojë ka fuqinë djallëzore të plagos, dërrmoj, sakatoj. Siç ka fuqinë të mbjellë, ka edhe fuqinë të shfarosë dhe unë besoj që midis këtyre dy pamjeve, qëndron ndarja këtu tek ne midis nesh që përpiqemi të ndërtojmë që përpiqemi të shërojmë, që përpiqemi të mbjellim dhe atyre që nga ana tjetër shkatërrojnë, plagosin, shkulin, djegin”, theksoi Rama.
Të hënën në Kuvendin e Shqipërisë në seancën plenare deputetët e opozitës u rreshtuan para foltores në shenjë proteste pas arrestimit të deputetit të PD-së Ervin Salianji.
Pas përplasjes dhe bllokimit të foltores, deputetët e opozitës kishin nxjerrë karriget jashtë sallës së Kuvendit duke ua vënë flakën.