Rama i jep “mbështetje absolute” aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës

Kosova aplikoi sot edhe zyrtarisht për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Kërkesa e Kosovës tashmë do të shqyrtohet nëpër disa instanca deri të merret vendimi përfundimtar. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që foli pak para se të zyrtarizohet aplikimi, deklaroi se janë 100% në mbështetje të Kosovës.

Rama u shpreh se Shqipëria është në mbështetje absolute të Kosovës në çdo hap pavarësisht se Serbia mendon ndryshe.

“Ne jemi në mbështetje absolute të Kosovës në çdo hap dhe për çdo gjë që lidh Shqipërinë, Kosovën dhe komunitetin ndërkombëtar. Ndërkohë që ne kemi qasje komplet tjetër kur vjen puna tek normalizimi i marrëdhënieve hap pas hapi në aspektin ekonomik, në aspektin e lirisë së lëvizjes e të tjera e të tjera, me Serbinë paralelisht me betejën në tryezë, betejën diplomatike për dialog e kështu me radhë sepse besojmë që kjo është rruga, kjo është rruga dhe nga ana tjetër respektojmë plotësisht zgjedhjen e bërë nga autoritetet legjitime, të votuara, të mandatuara, përgjegjëse të Kosovës për të patur një qasje komplet tjetër në këtë aspekt. Por kur vjen puna tek demarshet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ne jemi 100% me Kosovën. Serbia sigurisht është në të drejtën e vetë të mendojë krejt ndryshe, na vjen keq për Serbinë në këtë rast, por ne do të mbështesim Kosovën”, deklaroi Rama.

Po ashtu, kryeministri shqiptar foli edhe për Ballkanin e Hapur duke thënë se ky është një proces që po funksionon dhe se, pas paralajmërimeve të Malit të Zi se mund të bëhet pjesë, ai tha se është çështje kohe kur të gjitha vendet do të bashkohen.



“Ballkani i Hapur funksionon dhe do funksionojë gjithmonë e më mirë. Tani ne presim që edhe Mali i Zi t’i bashkohet, domethënë është çështje kohe, unë e kam thënë gjithmonë, është çështje kohe që t’i bashkohen të gjithë në fakt se nuk ka ku shkon tjetër kjo punë përveçse tek kooperimi, tek bashkëpunimi, kështu që sigurisht që është humbje kohe patjetër për ata që ngurojnë apo refuzojnë të bashkohen, por ne nuk kemi kohë për të humbur”, vijoi Rama.

Pas darkës joformale të Borrell me liderët e Ballkanit Perëndimor, Rama duke folur në lidhje me hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, tha se për Shqipërinë opinioni është tejet pozitiv ndërsa situate është pezull për shkak të Bullgarisë që ka vënë veto ndaj Maqedonisë së Veriut që është në një pako me Shqipërinë.

“Këtu çështja është tek Bullgaria që ka marrë peng Maqedoninë dhe që si rezultat, ka bërë që ne të jemi peng i një ngërçi të madh që ne nuk kemi lidhje fare. Ndërkohë, besoj që të gjithë e kanë të qartë që kjo situatë nuk mund të vazhdojë më gjatë. Megjithatë, ne do të ndryshojmë menjëherë kurs, siç e kemi thënë dhe siç e kemi marrë nga Këshillimi Kombëtar në rast se nuk do të kalojë në fazën tjetër vendi ynë për t’u ulur formalisht në tryezë për negociata”, u shpreh Rama.

Rama ka qenë pjesë e darkës së liderëve të Ballkanit Perëndimor me Përfaqësuesin e LArtë të Bashkimit Evropian, Joseph Borrell. Kosova u përfaqësua nga ministrja e jashtme, Donika Gërvalla, pasi presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti gjenden në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lexo edhe

Video