Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbajtur seancën e rregullt në të cilën është diskutuar për ndryshimin e planit urbanistik të lagjes Kalabria.
Kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka thënë se e gjithë kjo bëhet për mirëqenie për qytetarët dhe do të vazhdojnë atë që kanë projektuar qeveritë e mëparshme, por jo me aq metra katrorë sa është paraparë pasi sipas tij nuk sjell asnjë vlerë shoqërore. Por me këtë nuk u pajtuan asamblistët nga opozita PDK-AKR, të cilët kërkuan nga komuna të ndryshojnë planin urbanistik.
Sipas Partisë Demokratike e Kosovës, asamblistit Leotrim Retkoceri, komuna është treguar jo transparente që sipas tij kanë tentuar fshehjen e dokumenteve zyrtare. Gjithashtu ai ka vënë në dukje se me qeverisjen e Përparim Ramës, janë duke tentuar të bëjnë betonimin e kryeqytetit.
Gjithashtu Retkoceri ka akuzuar komunën për gënjeshtra dhe ka bërë thirrje që të drejtat e qytetarëve të mbrohen në çdo formë.
Ndërsa për asamblistin nga Aleanca Kosova e Re, Sami Boroci, banorët e lagjes Kalabria tash e dy vjet janë duke pritur se çfarë do të ndodhë me planin urbanistik, duke kërkuar transparencë të plotë.
Por me këto nuk është pajtuar kryetari Përparim Rama, duke thënë se nuk merren me betonim sipas opozitës, por po e kryejnë punën për të cilën janë të thirrur si të zgjedhur të popullit.
Edhe qytetarët e fshatit Shkabaj patën pothuajse probleme të ngjashme, ku përfaqësuesi Bahri Sejdiu ka kërkuar nga komuna zgjidhjen e lokacionit për ndërtimin e xhamisë së fshatit.