Rama: Adhuruesit e sporteve në natyrë, përvojë fantastike në ujërat e Vjosës
Lexohet për: 2 min.
vlore
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Çdo ditë e më shumë turistë eksplorojnë Parkun Kombëtar të Vjosës për eksperienca të jashtëzakonshme nga soditjet në natyrë, deri tek rafting dhe sportet e aventurës.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale video të adhuruesve të sporteve ujore, të cilët gjejnë në Vjosë një oazë freskie dhe mundësi për rafting.

“Vjosa që kaltëron e vërshon duke ftuar të gjithë adhuruesit e sporteve në natyrë për një përvojë fantastike në ujërat e saj”, shkruan Rama, krahas videos.

Vjosa fillon në Greqi, e njohur me emrin Aoos, përpara se të kalojë në Shqipëri, duke gjarpëruar nëpër male dhe në fund të arrijë në detin Adriatik.

Gjatë rrugës, lumi kalon nëpër fusha të blerta dhe përgjatë shpateve malore duke krijuar kanione mbresëlënëse, ishuj rëre dhe kthesa të mrekullueshme.

Bukuria dhe domethënia e lumit e kanë fituar emrin “Zemra Blu e Evropës”.

Në 13 mars 2023 Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë, u shpall nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “Park Natyror”.

Në 13 qershor 2022 u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe organizatës amerikane “Patagonia” për nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën “Park Kombëtar”.

Ndërkohë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Fondacioni Patagonia, IUCN dhe UNESCO vijojnë turin e konsultimeve publike në qarqet Fier, Vlorë dhe Gjirokastër mbi miratimin e “Planit të integruar të menaxhimit për Parkun Kombëtar të Lumit Vjosa”./ATSH/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024