Një raketë balistike e lansuar nga Koreja e Veriut mund të ketë pasur një trajektore fluturimi "jonormale" dhe të ketë rënë afër kryeqytetit Phenian, tha ushtria e Koresë së Jugut.
Koreja e Veriut lansoi dy raketa balistike të hënën në mëngjes, sipas raporteve nga qeveritë e Koresë së Jugut, Amerikës dhe Japonisë.Lee Sung-jun, zëdhënës i JCS, në një konferencë tha se ekziston mundësia që raketa e dytë e lëshuar të ketë një fluturim jonormal në fazën e hershme.
"Nëse do të kishte shpërthyer gjatë një fluturimi jonormal, ekziston mundësia që mbeturinat të kenë rënë në brendësi të tokës," tha Lee, duke sqaruar se një "shpërthim" është një nga shumë mundësitë dhe se ushtria është duke "analizuar plotësisht" mundësi të ndryshme.
Sipas JCS, dy raketat u lëshuan në verilindje nga zona Changyon-gun të provincës së Jugut Hwanghae, rreth 130 kilometra në jugperëndim të Phenianit, por deri më tani nuk janë konfirmuar dëme.
Nëse raketa shpërtheu pasi fluturoi 120 kilometra në verilindje nga Changyon-gun, mbetjet mund të kishin zbritur pranë Phenianit, bazuar në distancën e përshkuar nga vendi i lansimit.
Javën e kaluar, Koreja e Veriut tha se kreu me sukses një test për të vendosur koka të shumta luftarake nga një motor me një fazë për një raketë balistike me rreze të mesme dhe të gjatë, duke shënuar një moment historik në përmirësimin e teknologjisë së saj raketore. Koreja e Jugut më vonë tha se pretendimi i Koresë së Veriut ishte i rremë.
Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut janë teknikisht në luftë, me një armëpushim i cili i dha fund Luftës Koreane që ndau gadishullin në vitin 1953, por asnjë traktat formal paqeje nuk u nënshkrua.