Rahoveci shpall “qytetar nderi” ambasadorin e Shqipërisë

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, është nderuar me çmimin “Qytetar nderi” nga Komuna e Rahovecit. Këtë çmim që simbolizon angazhimin e tij për të mirën e qytetarëve të kësaj komuna, ia ndau kryetari Smajl Latifi.

Me këtë rast Minxhozi në fjalimin e tij në Kuvendin Komunal të Rahovecit tha se ndjehet i privilegjuar me këtë çmim, teksa kujton kohën kur filloi vizitat e para nëpër komuna.

“Jam shumë  i privilegjuar për këtë nder të jashtëzakonshëm që mu bë në një ditë jashtëzakonshme. Kur jam caktuar ambasador në Kosovë pyetjen e parë që i bëra vetes ishte se sa do jem në gjendje për të sfiduar një besim të madh. Dhe e fillova me disa vizita në disa komuna  të Kosovës për të parë se çka mund të ofrojë diçka të veçantë këtu”, shtoi ai.

Minxhozi shtoi se që nga dita kur është emëruar ambasador është munduar të përçojë mesazhin e të qenurit një komb, teksa theksoi se në Kosovë nuk duhet të ketë fare ambasador të Shqipërisë.


“Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë për mendimin tim nuk duhet të ishte fare. Por historia kështu e solli  që edhe unë të jem një ambasador si të gjithë të tjerët dhe jam munduar që nga data e parë që të përçojë disa mesazhe. Sepse ne jemi vëllezër, ne jemi një gjak, ne jemi një komb, por çfarë mund të bëhet për këto njerëz që të bashkohemi edhe më tepër. Dhe thashë se gjëja më e madhe që mund të bëhet është t’i japim një zhvillim të ndërsjellët që të mos jemi vetëm dy shtete por të jemi një komb dhe kombi zhvillohet me një energji të dy kaheve të kufirit,” shprehet ai.

Ndërkohë ai tregoi edhe arsyen se pse qyteti i Rahovecit është i veçante për të. Sipas tij ky qytet është vendi më i goditur nga okupuari serb.

“Rahoveci pse është i veçantë për mua, është i veçantë sepse është një nga rajonet më të goditura nga okupatori serb dhe jo vetëm gjatë viteve 1999 por në vazhdimësi gjatë historisë së saj. Padrejtësi, gjenocid, sulme makabre deri në zhdukje njerëzish, vrasje të kryefamiljarëve, meshkujve nga regjimi serb, është një nga zonat më të goditura të Kosovës. Kjo është e para që më lidh më tepër me Rahovecin, e dyta është që këtu kam parë një popullsi, njerëz që nuk jetuan vetëm më të shkuarën, por me të ardhmen çfarë duhet të bëjmë jo që të mbijetojmë por të jetojë dinjitetshëm në një vend të zhuritur nga lufta, dhe Rahoveci në krye me Krushën e Madhe ia doli mbanë”, tha ai.

Të pranishëm në këtë dekorim ishin shumë qytetarë të Rahovecit, shefa të grupeve parlamentare e shoqëria civile.

Lexo edhe

Video

error: