Rahoveci shënon “Ditën e Çlirimit”

Rahoveci shënon “Ditën e Çlirimit”

Kuvendi Komunal i Rahovecit me seancë solemne, ka shënuar sot “Ditën e Çlirimit”, me ç’rast janë kujtuar luftëtarët dhe dëshmorët e kombit si arsye e lirisë së Kosovës.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, derisa ka uruar qytetarët për këtë ditë, tha se Rahoveci dha luftëtarë trima, heronj e dëshmorë, invalidë, dha gjak e djersë.

Latifi tha se kanë paguar çmim të lartë për liri, e që tha se liria mban vulën e gjakut të bijave e bijve të kësaj toke.

“Radhëve të luftëtarëve të lirisë ju bashkuan shumë djem e vajza, të frymëzuar nga paraardhës të përkushtuar që me guxim i vunë gjoksin furtunës. Brigada 124 pati një rrugëtim luftarak të vështirë, por krenar. Dhimbje shumë për humbjet tona nëpër beteja, por edhe krenari për idealet dhe vlerat që i dhanë kuptim suksesit të luftës çlirimtare. Kaluan më shumë se dy dekada, 21 vjet, qëkur djemtë dhe vajzat e UÇK-së, hynë triumfalisht në Rahovec së bashku me trupat aleate të NATO-s. Ishte dita e shumëpritur, sepse çdo pëllëmbë e kësaj toke, ishte e larë me gjak martirësh e dëshmorësh. Ne sot dhe gjithmonë nderojmë kontributin e jashtëzakonshëm për liri të kësaj treve bujare e trime, që me rezistencë e luftë e luftoi pushtimin serb”, tha ai.


I pari i Rahovecit tha se fatkeqësitë e panumërta i kanë detyruar që të drejtat t’i kërkojnë me armë, ndonëse ishin të vetëdijshëm se rrugë tjetër për arritjen e lirisë nuk kishte.

Ai tha se pabarazia me pushtuesin ishte e dukshme, mirëpo vullneti për të luftuar dhe jetuar të lirë, kalonte çdo frikë e hezitim.

“Lufta e drejtë e popullit shqiptar, për çlirim e bashkim nuk ka pushuar asnjëherë, ndërsa nën emblemën e UÇK-së, u bë bashkimi i potencialeve tona kombëtare, gjë që kësaj i jep epitetin e luftës kombëtare për çlirimin e Kosovës, dhe trojeve tona autoktone. Ndonëse synimi ynë nuk është përmbushur plotësisht, përpjekjet tona nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë. Tashmë lufta është zhvendosur në institucionet tona, që kanë për detyrë, të krijojnë kushte më të mira jetese e pune. Mbetemi të përkushtuar që të vazhdojmë të punojmë me zell e durim, sepse këtë e kemi amanet nga të parët. Lumturia dhe begatia e brezave që vijnë është obligimi ynë i përhershëm, prandaj këtë e kemi edhe zotim solemn, në një përvjetor si ky i çlirimit të vendit tonë”, tha ai.

Në këtë ditë, presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka ndarë urdhrin “Hero i Kosovës” për katër dëshmorë të kësaj komune.

Lexo edhe

Video

1 Comment

Comments are closed.

error: