Policia e Kosovës së bashku me zyrtarët komunalë të zgjedhjeve të katër komunave veriore, gjatë ditës së nesërme do të shkojnë në zyrat komunale.
Kështu u tha në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, derisa u bë e ditur se ende nuk kanë pranuar plan operativ nga Policia e Kosovës. Këto zyre vazhdojnë të jenë të mbyllura për shkak të sigurisë dhe zyrtarët po kryejnë detyrat e tyre nga komunat ku veprojnë.
“Me qëllim të funksionalizimit të këtyre zyrave, ashtu siç është dakorduar KQZ në mbledhje, i kemi dërguar shkresën Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Kosovës, si dhe Ministrisë së Arsimit, prej të cilave kemi kërkuar vlerësimin e situatës dhe ofrimin e sigurisë për zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe katër komisioneve komunale të zgjedhjeve në secilën prej tyre. Funksionalizimi i komisioneve komunale zgjedhore është i domosdoshëm në kuadër të përgatitjeve për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, sepse këto komisione kryejnë disa detyra të rëndësishme të përcaktuara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme”, ka thënë Ahmetaj.
Ai ka shtuar se nuk kanë pranuar ende planin operativ të Policisë së Kosovës se si të veprojnë zyrtarët në komisionet komunale zgjedhore.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se në takimin e sotëm me Policinë e Kosovës, është thënë se nesër bashkë me zyrtarët do të shkojnë nëpër zyre.
“Sot jemi takuar me policinë dhe plani është që nesër zyrtarët tanë së bashku me policinë të shkojnë nëpër zyrat tona komunale të veriut. Planin operacional për këtë aktivitet e bën policia së bashku me sekretariatin dhe nesër mbetet të shihet se sa kemi pasur mundësi që të kemi qasje në zyrat tona dhe sa do të kemi qasje në vendvotime në veri edhe mbetet të shihet në ditëve në vijim”, ka deklaruar Radoniqi.
"Sot jemi dy javë para zgjedhjeve, asnjë veprim nuk është marrë. Shkresën të cilën unë e lexova me shumë vëmendje të Ministrisë së Arsimit, ajo ikën nga përgjegjësia, nuk mund të thotë se cilave institucioneve iu drejtohesh... Jemi në një situatë të cilën pashmangshëm – hajt, se vjen dikush e thotë se nuk po mund t’i mbajmë zgjedhjet, e mos të mbetet tek unë. Nuk ka ndodhur që këto takime me ato institucione të ndodhin dy javë para zgjedhjeve, në një situatë në të cilën jemi atje. Situata është shqetësuese në njërën anë, KQZ veprimet kushtetuese që ka kompetenca e kryen, por nuk mundet askush t’i ikë përgjegjësisë”, ka thënë ai.
Por, për këtë është shprehur optimist kryesuesi i KQZ-së, ku tha se po kryhen të gjitha punët që zgjedhjet e datës 18 dhjetor të mbahen me sukses.