Radoniqi kërkon reformë zgjedhore, PDK kundër emërimit të tij

Kryesuesi i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve(KQZ), Kreshnik Radoniqi në përballjen e parë me deputetë të Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar përmbylljen e procesit të reformës zgjedhore.

Në komisionin për legjislacion ku u shqyrtuar për gati dy orë raporti 2020 i KQZ dhe nuk e mori mbështetjen, partia më e madhe opozitare nuk po pajtohet kurrsesi me zgjedhjen e Radoniqit për  kryesues të KQZ-së, raporton KosovaPress.

Në anën tjetër, deputetët nga pozita kërkuan nga Radoniqi të jetë i paanshëm në punën e tij.

Radoniqi gjatë raportimit në këtë komision për punën e paraardhësit të tij, Valdete Daka, tha se organizmi i zgjedhjeve të parakohshme në Podujevës dhe veri Mitrovicë ka qenë mjaft sfidues në kohë pandemie.

Ai tha se sfidat e punës së KQZ janë të ndryshme, ku edhe përmendi dy nga to, mosndryshimi i ligjit për zgjedhjet parlamentare dhe lokale, dhe mosintegrimi unik i adresave në listën e votuese.

“Sfidat në punën e KQZ janë të natyrave të ndryshme, në fund të këtij raporti kemi listuar disa prej tyre me rekomandime të qarta. Po i përmend vetëm tri prej tyre, për KQZ-në mbetet sfidë mos ndryshimi i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe Ligji për zgjedhjet në lokale. Prandaj, KQZ rekomandon që Kuvendi i Kosovës duhet të përmbyll procesin e reformës zgjedhore duke ndërmarrë hapa konkret si dhe duke trajtuar të gjitha çështjet me të cilat është sfiduar KQZ-ja gjatë viteve të kaluara. Po ashtu mbetet sfidues mos integrimi i sistemit unik të adresave në regjistrin qendror civil meqë po ndikon në saktësinë e listës së votuesve. Si rekomandim, Kuvendi duhet të ndërmarrë masa për kontraktimin e shërbimeve të auditimit të raporteve vjetore financiar të partive politike dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës zgjedhore për subjektet politike”, theksoi Radoniqi. 

Deputeti nga VV, Artan Abrashi tha se nuk do të merret sot me të kaluarën në KQZ, por shtoi se vendimet në këtë institucion kanë qenë të dëmshme.

“Dua që t’iu uroj vetëm punë të mbarë, unë nuk do të merrem me të kaluarën, dhe shumë vendime të dëmshme të cilat e kanë vënë në pikëpyetje pavarësinë, paanshmërinë e një institucioni. Vendime të cilat e kanë lënduar edhe procesin demokratik të vendit tonë, me shpresën se këto do t’i takojnë të së kaluarës, me shpresën se ju do ta ushtronin funksionin më pajtim të potë me dispozitat kushtetuese dhe ligjore duke siguruar një paanshmëri në vendim marrje”, tha Abrashi. 


Deputetja Blerta Deliu nga PDK-ja, tha se jo rastësisht KQZ ka qenë një ndër institucionet më kredibile në vend, ndërsa shtoi se presidentja Vjosa Osmani po bën shkelje kushtetuese për mosdekretimin edhe të një anëtari të PDK në KQZ, si dhe për shkarkimin e Valdete Dakës në prag të zgjedhjeve lokale.

“Konsiderojmë se po bëhet një shkelje tipike nga presidentja e vendit, për faktin se dua të informojë edhe opinion publik që kandidati i tretë për të cilin po flitet që do të jetë anëtari i tretë i LVV-së në KQZ, është një grua e cila ka garuar në zgjedhjet lokale në listën “Guxo”. Lista e cila presidentja Osmani ka garuar në zgjedhjet e fundit. Prandaj, për neve është e paprecedent që PDK-së si subjekt i parë opozitarë në vend po i mohohet e drejta që ta ketë kandidatin e dytë…  Po ashtu nuk mund të jem sot këtu pa e thënë që për ne si subjekt politik ka qenë e paprecedent mënyra se si presidentja e vendit ka shkarkuar nga detyra një zonjë e cila ka qenë në krye të këtij institucioni dhe ka zbatuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Për ne ka qenë tentativë e hapur që Osmani bashkë me Kurtin kanë bërë për të shkelur Kushtetutën dhe ky nuk është rasti i parë”, u shpreh ajo.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar kryetari i komisionit, Adnan Rrustemi, i cili ka kërkuar nga deputetja Deliu që sot në këtë komision të diskutohet për punën e KQZ për vitin 2020, dhe siç tha ai jo për çështje politike.

“Ka pafundësisht aspekte për të cilat mund të diskutojmë që ne deputet mund t’i adresojmë në kuvend. Mos ta humbim diskutimin në të cilin nuk na takon, si kryesues po dua me orientua diskutimin te gjërat konkrete të cilat mund të kontribuojmë. Zonja Deliu, deklarimet jashtë rendit të ditës të Kuvendit të Kosovës nuk mund t’i ri përsërisim në Komision përballë një delegacioni i cili është përgjegjës për të sqaruar raportin vjetor të punës para deputetëve”, theksoi Rrustemi. 

Anëtari i komisionit nga LDK-ja, Driton Selmanaj duke vlerësuar lartë punën e KQZ, ka kërkuar nga kryesuesi i ri që të vazhdon praktikën e instaluar në KQZ.

“Po uroj që praktikën e mirë të instaluar në KQZ ta vazhdojë edhe kryesuesi i ri. Është dëm i madh nëse eventualisht kemi regres në këtë institucion. KQZ-ja konsiderohet një ndër institucionet më kredibile në rajon për organizmin e zgjedhjeve”, tha ai. 

Anëtari i Komisionit nga AAK, Besnik Tahiri nuk ka la pa përmendur edhe sot procesin zgjedhor në Podujevë, për çka plasën së qeshurat nga kolegët e tij.

“Raporti i vitit 2020 reflekton punën e KQZ-së që ka bërë gjatë kësaj periudhe kohore. Është një raport që i përmbushë obligimet që i ka ndaj Kuvendit dhe mendoj se s’kemi çka flasim për raport për shkak se është shpjegues, sqarues i vendimeve që i keni bërë edhe për fushatën në Podujevë që e keni bërë, kështu që mirë shumë. Pjesë e raportit janë edhe zgjedhjet në Podujevë”, theksoi Tahiri.

Raporti i KQZ-së nuk kaloi pasi vetëm katër vota ishin për nga deputetët e opozitës, ndërsa pesë kundër nga ata të VV-së.

Lexo edhe

Video

error: