Radev: Ukraina në NATO pas zgjidhjes paqësore të luftës me Rusinë

Radev: Ukraina në NATO pas zgjidhjes paqësore të luftës me Rusinë

Presidenti bullgar Rumen Radev refuzoi të nënshkruajë deklaratën e miratuar nga nëntë presidentë të Evropës Lindore dhe Qendrore për shkak të pjesës që flet për hyrjen e Ukrainës në NATO, megjithëse mbështeti qëndrimet e tjera që përmban dokumenti.

Bullgaria e mbështeti deklaratën nga samiti i NATO-s në Bukuresht në vitin 2008 për anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës, por ajo deklaratë u miratua në një mjedis krejtësisht tjetër sigurie, thuhej në përgjigjen e shërbimit për shtyp të presidentit bullgar për pyetjet e dërguara nga e përditshmja bullgare “Novinite”.

Operacionet ushtarake në territorin e Ukrainës sot kërkojnë që anëtarësimi i saj në Aleancë të diskutohet brenda përbërjes së plotë të Këshillit të Atlantikut të Veriut dhe të mos çojë në rrezikun e përfshirjes së drejtpërdrejtë të vendeve të NATO-s në luftë, thuhet në përgjigje.

Gjithashtu u theksua se vendimi për anëtarësimin e Ukrainës në NATO duhet të merret vetëm pas krijimit të parametrave të qartë për zgjidhjen paqësore të konfliktit ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, të cilat do të pranohen dhe zbatohen nga të dyja shtetet ndërluftuese.

Presidentët e nëntë vendeve anëtare të NATO-s nga Evropa Qendrore dhe Lindore nënshkruan një deklaratë të përbashkët të dielën në të cilën ata theksuan mbështetjen për sovranitetin territorial të Ukrainës dhe u bënë thirrje aleatëve që të rrisin ndjeshëm ndihmën ushtarake për Ukrainën.


Presidentët e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore deklaruan se ata nuk njohin dhe nuk do të njohin kurrë përpjekjet e Rusisë për të aneksuar ndonjë territor ukrainas.

Ata theksuan se qëndrojnë me vendosmëri pas vendimit të samitit të NATO-s të mbajtur në Bukuresht në vitin 2008 për anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës.

“Ne mbështesim Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër pushtimit rus, kërkojmë që Rusia të tërhiqet menjëherë nga të gjitha territoret e okupuara dhe inkurajojmë të gjithë aleatët që të rrisin ndjeshëm ndihmën e tyre ushtarake për Ukrainën”, thuhet në deklaratë.

Të gjithë ata që kryejnë krime agresioni duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të sillen para drejtësisë, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Deklarata është nënshkruar nga presidenti i Republikës Çeke, Milosh Zeman, presidenti i Estonisë, Alar Karis, presidenti i Letonisë, Egils Levits, presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis dhe presidentja e Sllovakisë, Zuzana Caputova.

Lexo edhe

Video