Qytetarët e presin me padurim rikthimin e Adriana Matoshit në skenë

Artistë dhe qytetarë iu bashkuan të martën marshit “Ecim me Adrianën”, nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek Teatri Kombëtar në Prishtinë. Organizim ky që erdhi në shenjë solidariteti me aktoren e mirënjohur shqiptare, Adriana Matoshi, e cila njoftoi një ditë më parë se pas nëntë vitesh i është rikthyer tumori në tru.

Të pranishmit gjatë marshimit kishin të vendosur në bluzat e tyre mbishkrimin “Të duam Adriana”.

Mikja e aktores, Rina Zeka tha se ky organizim ka ardhur si dëshirë e Ardianës e cila nuk është duke kërkuar ndihmë monetare, e që shoqëria e saj po u a mundësojnë këtë duke i treguar dashurinë që kanë për të.

“Arsyeja e organizimit ka ardh pikërisht prej dëshirës dhe vullnetit të Ardianës. Ajo nuk është duke kërkuar prej neve ndihmë monetare, thjesht çka i duhet asaj në këto ditë të vështira është dashuria dhe përkrahja jonë dhe menduam që ke momenti i duhur të gjithë mu bashku edhe mi tregu që na përnime e duam dhe nuk e presim ditën kur ajo i bie çmime ndërkombëtare Kosovës dhe suksese të filmit, por që në ditët e tilla kur asaj i duhemi më së shumti me qenë prezentë… Adriana para disa muajve e ka bërë një postim që ‘krejt ata që nuk më duan sa jam gjallë, haram ju qoftë dashnia që e ruajnë kur kom me vdek’.Na e dimë që Ardianës nuk ka mi ndodhë kurrgjë se ajo është shumë e fortë, ka me ia dalë edhe kësaj sfide edhe deshtëm m’i tregu që na jemi tu e prit, jemi tu e dashtë dhe nuk jemi tu e kursy dashninë tonë për të për asnjë moment”, u shpreh Zeka.

Në mbështetje të koleges së tij, kishte dalë edhe aktori Shpejtim Kastrati, i cili lajmin e kishte kuptuar përmes njoftimit në Facebook që Ardiana Matoshi kishte bërë një ditë më parë.

“Lajmin e mora vesh në bazë të postimeve, sot dolëm veç me mbështetë fuqinë e Adrianës, se Adriana është e fortë dhe këtë sfidë e ka kaluar edhe para 9 vitesh, veç i urojmë shërim sa më të shpejtë”, ka thënë ai.

Ndërsa mikja e aktores Matoshi, Triera Kasumi-Berisha, tha se i gjithë vendi qëndron mbrapa aktores. Derisa shtoi se presin shumë çmime nga aktorja pasi që ta mund sëmundjen.


“Adrianës i urojmë shërim shumë të shpejtë. Adriana besoj e din që krejt Kosovën e ka mbrapa edhe e presim shumë shpejt të na kthehet në skenën tonë edhe me na pru ma shumë çmime se që na ka pru deri tash”, ka thënë ajo.

Marshit i ishin bashkuar edhe qytetarë tjerë, të cilët e çmojnë dhe duan punën e aktores.

Njëri nga ta ishte edhe Melos Selmani, i cili tha se shpreson që Adriana Matoshi të marrë energjinë e madhe pozitive që po synojnë t’i japin përmes këtij organizimi. 

“Adriana është një aktore e cila na ka dhënë gjithmonë pozitivitet, energji të madhe, edhe në momentet tona të këqija dhe besoj që sot ky organizim ka m’i dhënë asaj një lloj energjie të madhe besoj që kemi me i a kthyer shumë mirë”, tha ai.

Të hënën aktorja e njohur, Adriana Matoshi publikoi njoftimin për rikthimin e sëmundjes së saj. Ajo kërkoi që të gjithë ta duan veten por edhe jetën.

“Mos harroni me e dashtë VETEN edhe JETEN. Mos lakmoni shume se as pasunia e botes, as fama, e asni sukses e arritje n’jete nuk vijne para SHENDETIT e asnjona prej tyne nuk po mujshin me e ble ilaqin ose me ta zgjate jeten. N’situatat e tilla qysh jom une per momentin, po u dashke mi lon krejt edhe me menu per veten”, është një pjesë nga statusi i saj.

Aktorja do t’i nënshtrohet operacionit për ketë sëmundje ditën e mërkurë.

Lexo edhe

Video

error: