Qytetarët do të përballen me reduktime të ujit aq sa do të ketë turbullira në liqene

Reduktimet me ujë të pijshëm në disa lagje të Prishtinës kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme. Përkundër investimeve me dhjetëra milionë euro për trajtimin e ujit në Shkabaj, Kompania Rajonale e Ujësjellësit të Prishtinës, duket se nuk ka kapacitete për pastrimin e ujit.

Megjithëse, drejtues të kësaj kompanie arsyetohen se mungesa e ujit po ndodhë për shkak të turbullirave që janë nga reshjet e fundit.

Qytetarët në lagjen e Spitalit, që një pjesë e madhe furnizohet nga Badovci, kanë mbetur sot pa ujë që nga ora 08:00 e deri tash.

Kryeshefi i KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa, thotë për KosovaPress, se ka disa reduktime të ashpra në lagjen “Breg të Diellit”, lagjen “Mat” dhe në Arbëri të Prishtinës për shkak të uljes së kapacitetit trajtues të ujit të turbullt. 

“Ka disa reduktime pak më të ashpra në këto zona për shkak të furnizimit nga Badovci dhe duke ditur se është pikë e fundit me ç’rast edhe është zgjeruar shumë zona që furnizohet nga Badovci, duke përfshirë lagjen “Mati” dhe zonën e Prishtinës së re. Kjo zonë herë pas herë është e afektuar për shkak të kapacitetit trajtues në Badovc dhe kështu kemi qenë të detyruar ta ulim këtë kapacitet për shkak të turbullirës të madhe… Edhe si rekomandim i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për të ruajtur kualitetin e ujit për pije”, thekson Xhafa.  


Kryeshefi Xhafa ka folur edhe për impiantin në Shkabaj, sipas të cilit po funksionon por jo me kapacitetet maksimal.

Ai tha se ky impinat tashmë është duke funksionuar me kapacitet prej 150-200 litra në sekondë, ndërsa kapaciteti në të kaluarën ishte 700 litra në sekondë.

Megjithatë, ai bëri të ditur se qytetarët do të vazhdojnë të përballen me reduktime aq sa do të ketë turbullira në liqenet akumuluese.

“Impianti i trajtimit të ujit në Shkabaj është impiant i ri, mirëpo niveli i turbullirës në kanal është në mbi nivelet normale të lejuara për trajtim të ujit të pijes. Konkretisht nëse flasim për njësinë e turbullirës, impianti në Shkabaj trajton ujin dhe konverton ujin për pije. Ndërsa në kanal nga java e kaluar për dy ditë me radhë e kemi pasur 340 nivelin e turbullirave, që fizikisht nëse shihet, duket në formë të baltës ose ujë është aq i turbullt sa që është e pa mundur se çfarë do impianti që ta konvertojë ujin e pijes…Nëse kualiteti i ujit në burim përmirësohet, me automatizëm rritet kapaciteti i trajtimit në impiant. Por, nëse kualiteti i ujit vazhdon të jetë i turbullt në liqene, atëherë ne duhet të mbajmë këtë nivel të trajtimit me kusht që të ruajmë kualitetin e ujit në dalje të impianteve”, thotë ai.  

Duke ditur faktin se në këto dy stinë mund të kenë probleme, kompania në fjalë nuk arrin që të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme.

Lexo edhe

Video