Qytetarët ankohen se Komuna e Lipjanit po ua shpronëson pronat ‘për arsye personale’
Tema
Lexohet për: 4 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Qe gati një vit, shumica e bizneseve në zonën ku do të bëhet nënkalimi në Komunën e Lipjanit nuk punojnë dhe tashmë kanë falimentuar.  Ato jo vetëm që kanë falimentuar, por komuna ka menduar edhe shpronësimin e tyre.

Sipas pronarëve të këtyre bizneseve, arsyeja e vetme që komuna dëshiron t’i shpronësojë këto prona është për interesa personale, pasi në këtë pjesë do të bëhet pjesa e re e qytetit.

Arsyeja e dhënë nga komuna fillimisht ka qenë se këto objekte pengojnë për parkingun nëntokësor, pas përfundimit të parkingut për gjelbërim, e më pastaj për të ndërtuar banesa sociale.

Pronari i një kafeneje në Lipjan, Xhevdet Sadiku, ka thënë për KosovaPress se ky projekt ka ndodhur pa marrëveshjen e pronarëve të këtij objekti. Sipas tij, arsyeja pse komuna ka lënë hapësirë për parking dhe nuk e ka afruar deri tek objekti i kafe-barit, është që ta rrënojë dhe të ndërtojë banesa.

“Projekti që ka filluar parkingu dhe rruga nënkaluese prej komunës që janë duke e bë, u bë me një fazë pa marrëveshjen tonë të pronarëve të këtij objekti.. Këtu kemi të bëjmë me njerëz që janë duke shikuar për interesa personale me e prishë objektin, se është në qendër dhe del në shesh, është në pozitë shumë të mirë....Me bë kinse banesa sociale, se kjo banesë nuk është dhe nuk e shoh të arsyeshme... Ka mundur parkingu të bëhet deri tek objekti jonë, jo me lënë hapësirë të thatë në tokë, por nesër që me u rrëzua kjo e me ndërtua për vete, me i marrë banesat për vete....Ne kemi humb shumë, kemi humb total. Ka ra puna nga 100 për qind, në 98 për qind”, ka thënë Sadiku.

Pronari tjetër i kësaj kafeneje Fitim Krasniqi ka shtuar se qe nga 8 tetori i vitit të kaluar, lokali nuk është funksional.  Ai, ka treguar se lokali është shkatërruar komplet, inventarët janë dëmtuar dhe nuk po gjeneron asnjë të ardhur, si dhe ka mbetur pa punëtorë.

Ai thotë se ka mbajtur familjen e tij nga të ardhurat prej punës në këtë lokal.

Farmacisti Dëfrim Zejnullahu thotë për KosovaPress se përveç barnatores ai ka edhe dy lokale me qira, prej të cilave qiraxhinjtë janë larguar për shkak të mos fitimit. Sipas tij, arsyeja e rrënimit janë të pabaza andaj kërkojnë dëmshpërblim të qirave dhe të punës që kanë humbur për një vit.

Përveç lokaleve, komuna ka vendosur ta rrënojë edhe një banesë ku jeton një qytetare e vetme me nipin e saj, Rahmete Emini.

Emini është shprehur se komuna ka thënë që ta lëshojnë banesën dhe t’i ofrojë 35 mijë euro, por sipas saj me këtë shumë parash nuk mund të blejë as një garazh. Ajo tregon se burri i saj i ndjerë ia ka lënë banesën, andaj thotë se “vetëm të vdekur mund ta nxjerrin nga aty”.

Zëdhënësja e Komunës së Lipjanit, Hyra Bytyçi, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress thotë se arsyeja për rrënime janë objektet e vjetërsuara që nuk i rezistojnë kohës. Sipas saj, kryetari Imri Ahmeti i ka propozuar kuvendit komunal që bizneset të lirohen nga taksat e qirasë dhe ato janë liruar për vitin 2024.

Në përgjigjen e Komunës së Lipjanit, është cekur se këto objekte priten të rrënohen gjatë këtyre ditëve.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024