Quni-Abdixhiku, bisedë për emergjencën dhe drekë duke respektuar distancën

Quni-Abdixhiku, bisedë për emergjencën dhe drekë duke respektuar distancën

Ministri i Mbrojtjes Anton Quni priti në takim Ministrin e Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, priti sot në vizitë Ministrin e Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku.

Quni e njoftoi ministrin Abdixhiku me zhvillimet e përgjithshme në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe në veçanti me aktivitetet të cilat është duke i zhvilluar FSK gjatë periudhës së emergjencës shëndetësore për shkak të pandemisë së COVID-19.

Ai gjithashtu e njoftoi Abdixhikun me nivelin e gatishmërisë operacionale të FSK-së për reagim në mbështetje ushtarake të autoriteteve civile dhe qytetarëve të vendit.


Nga ana e tij, Abdixhiku, shprehu vlerësimin e lartë për kontributin e deritashëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së në menaxhimin e situatës së krijuar dhe besimin e plotë në aftësitë dhe kapacitetet operacionale të FSK, që sikur edhe në raste tjera, të përmbushë misionin dhe rolin e saj të pazëvendësueshëm në reagimin, menaxhimin dhe tejkalimin e situatës nëpër të cilën po kalon vendi ynë.

Ai ndër tjera theksoi dhe shprehu mirënjohjen për angazhimin e njësive të specializuara të FSK-së në aktivitetin aktual të transportimit të qytetarëve tanë të kthyer nga shtetet tjera prej aeroportit në vendet e caktuar për karantinë.

Quni në fund, siguroi Abdixhikun se FSK, si gjithmonë, por edhe në këto rrethana të jashtëzakonshme është dhe do të jetë në shërbim të plotë për qytetarët tanë duke konfirmuar se kujdesi i shtetit për qytetaret e vet jashtë vendit është sikur “kujdesi në kohë lufte për ushtarin që është në vijë të frontit”.

Në fund të dy ministrat u dakorduan që të vazhdojnë koordinimin e plotë në të gjitha nivelet për të përmbushur detyrat  dhe përgjegjësitë e ndërlidhura  për menaxhimin dhe tejkalimin sa më të suksesshëm të situatës së krijuar.

Pas takimit  të dy ministrat drekuan në kuzhinën e kazermës së FSK-së, duke respektuar distancën e përcaktuar sipas rregullave për preventivë ndaj COVID -19.

Lexo edhe

Video