QKSS: 71% e qytetarëve vlerësojnë se pandemia ndikoi negativisht në jetën e tyre

QKSS: 71% e qytetarëve vlerësojnë se pandemia ndikoi negativisht në jetën e tyre

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar sot raportin “Perceptimet e qytetarëve mbi menaxhimin COVID-19 nga institucionet e Kosovës”, i cili shqyrton qëndrimet e qytetarëve mbi pandeminë dhe çështjeve aktuale në lidhje me situatën me koronavirus në vendin tonë.

Shumica e të anketuarve 53 për qind pohuan se situata e pandemisë u menaxhua më mirë në periudhën para qershorit 2020, duke nënkuptuar periudhën kur Qeveria e Kosovës drejtohej nga kryeministri i atëhershëm Albin Kurti (shkurt-qershor 2020).

Gjatë kësaj periudhe vendi kaloi nën masa të forta izolimi të vendosura nga Qeveria, ndërsa numri i rasteve të infektuara dhe i vdekjeve ishte dukshëm më i ulët. Nga ana tjetër, vetëm 15 për qind e qytetarëve u përgjigjën se pandemia u menaxhua më mirë në kohën që korrespondon me masat e ndërmarra nga kabineti qeveritar i sapoformuar atëherë nën ish-kryeministrin Avdullah Hoti, periudha qershor-shtator 2020, ndërsa hulumtimi në terren për këtë anketë ishte realizuar nga ekipi i QKSS në shtator-tetor 2020.

Të anketuarit dhanë mendimet, sugjerimet dhe rekomandimet se çka duhej të ishte bërë nga institucionet shtetërore për menaxhim më të mirë të situatës me COVID-19 në vend.

E para në listë, e shprehur nga 24 për qind e të anketuarve, është zbatimi i masave parandaluese dhe vigjilenca e qytetarëve kundër infeksionit me koronavirus. Ajo pasohet nga masa më të rrepta dhe ndëshkime ndaj atyre që nuk zbatojnë masat 16 për qind, ndihma shtetërore për qytetarët 11 për qind, angazhimi më i madh i Qeverisë 10 për qind, stabiliteti politik 10 për qind.


Ngjashëm si të gjitha vendet e prekura nga pandemia, Kosova aktualisht po përballet me sfida të rënda dhe pasojat e dala nga kriza e pandemisë. Kjo u konfirmua nga përgjigjet e të anketuarve në anketë që pohuan se sfidat kryesore janë ato të natyrës socio-ekonomike.

Për më tej, pyetësori i zhvilluar nga QKSS përfshiu tri pyetje të hapura mbi ndikimin e pandemisë në jetën e përditshme të qytetarëve. Në parim, shumica e qytetarëve ose 71 për qind, vlerësuan se pandemia ka ndikuar negativisht në jetën e tyre, duke përfshirë ndikimin negativ në kushtet ekonomike dhe shëndetin mendor. Ndërsa, 29 për qind e të anketuarve deklaruan se COVID-19 nuk kishte ndonjë ndikim negativ kundrejt tyre.

Veç kësaj, kjo anketë mati edhe ndikimin socio-ekonomik të pandemisë COVID-19 në Kosovë dhe perceptimet lidhur me mbështetjen/ndikimin e jashtëm në Kosovë gjatë pandemisë COVID-19.

Perceptimet e paraqitura në raport u mblodhën nga Barometri Kosovar i Sigurisë (BKS), një mjet i veçantë ky përmes të cilit QKSS për çdo vit mat perceptimet e publikut në Kosovë mbi besimin ndaj institucioneve dhe mbi çështje të lidhura me sigurinë, përfshi situatën e pandemisë në Kosovë.

http://www.qkss.org/repository/docs/Covid19_Shq_174077.pdf

Lexo edhe

Video

error: