Në seancën e plenare të Kuvendit të caktuar për datën 5 dhjetor 2024, pritet të shqyrtohet edhe Projektligji për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. Me projektligjin aktual, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, mund të përfitojnë nga sigurimi shëndetësor të paguar nga shteti, vetëm nëse konstatohet statusi i tyre i varfërisë.
Prandaj, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) i ka dorëzuar një kërkesë zyrtare (letër avokuese) Kryetarit të Kuvendit, Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Grupit të Grave Deputete si dhe Grupeve Parlamentare, duke propozuar që të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë të përfitojnë mbulimin e plotë të sigurimit shëndetësor pa asnjë kushtëzim.
QKRMT thekson se të mbijetuarit e dhunës seksuale kanë nevoja specifike dhe të përditshme për kujdes mjekësor, të cilat tejkalojnë mundësitë që ata kanë për t’i mbuluar vetë. Pensioni që u jepet aktualisht nuk mbulon shpenzimet bazë për vizita mjekësore, terapi fizike, medikamente dhe shërbime psiko-sociale të nevojshme për përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.
“Prandaj, është e papranueshme që të mbijetuarit e dhunës seksuale të mbeten peng i barrierave administrative apo kritereve të varfërisë për të realizuar të drejtën e tyre për kujdes shëndetësor. Një trajtim i tillë është jo vetëm i padrejtë, por edhe një pengesë për përpjekjet për rehabilitimin dhe dinjitetin e tyre. Propozimi ynë synon të sigurojë mbulimin e plotë të sigurimit shëndetësor nga ana e shtetit për këtë kategori, pa kërkesa shtesë. Kjo do të garantonte një qasje më të lehtë në shërbimet mjekësore dhe do të eliminonte rrezikun e përjashtimit apo stigmës që lidhet me aplikimet për ndihmë bazuar në statusin ekonomik”, thuhet në komunikatë.“Të mbijetuarit e dhunës seksuale kanë shprehur shqetësimet e tyre për qasjen në shërbimet shëndetësore gjatë takimeve me përfaqësues të Kuvendit të Kosovës, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të tjera përkatëse. QKRMT kërkon që institucionet të pranojnë këtë propozim dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të garantuar që të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës të përfitojnë sigurim shëndetësor të pakushtëzuar. Për më tepër, QKRMT apelon që trajtimi i kësaj kategorie brenda ligjit të jetë i qartë dhe dinjitoz, duke reflektuar realitetin dhe nevojat e tyre. Mbështetja ndaj viktimave të dhunës seksuale nuk është vetëm një detyrim ligjor, por edhe një përgjegjësi morale dhe shoqërore. Është koha që të ndërmerren veprime konkrete për të garantuar që të mbijetuarit të trajtohen me dinjitet dhe respekt, pa pengesa të panevojshme”, citohet në komunikatë Feride Rushiti, drejtore Ekzekutive, QKRMT