Qeveria vendos masat e reja antiCOVID, ora policore mbetet në fuqi

Qeveria vendos masat e reja antiCOVID, ora policore mbetet në fuqi

Qeveria e Kosovës sot ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ndër të tjera ka miratuar katër projektligje dhe masat e rejat për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, të cilat do të hyjnë në fuqi nga data 6 dhjetor.

Vendimi i parë në mbledhjen e sotme ka qenë ai për miratimin e masave të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e  pandemisë COVID-19.

Sipas masave të reja, ora policore do të mbetet në fuqi nga ora 00:00 deri në 05:00 të mëngjesit, me përjashtim të rasteve emergjente.

Çdo person që hyn në Kosovë duhet të posedojë njërën nga dëshmitë e kërkuara: certifikatën e vaksinimit për vaksinim të plotë me dy doza kundër COVID-19, certifikatën e vaksinimit me një dozë, jo më të vjetër se katër javë, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë, certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19, test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë.

Nga data 3 janar 2022, për të gjithë personat që hyjnë në Kosovë do të vlejë dëshmia e certifikatës së vaksinimit për vaksinim të plotë me dy doza kundër COVID-19.

Shtetasve të Kosovës si dhe personave me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë, të cilët nuk posedojnë njërën nga dëshmitë e kërkuara dhe kërkojnë të hyjnë në Kosovë, iu jepet mundësia e vaksinimit nga ekipet mobile të vendosura në pikën kufitare ANP “Adem Jashari”, për ata që hynë në rrugë ajrore, dhe në pikat kufitare Vërmicë, Merdare, Dheu i Bardhë, Hani i Elezit për ata që hyjnë në rrugë tokësore.

Të gjithë punonjësve të institucioneve publike, si dhe personeli ndërmarrëve publike në pronësi të Qeverisë apo komunave, duhet të posedojnë një nga dëshmitë e kërkuara më lartë, në mënyrë që t’iu lejohet hyrja në punë. Nëpunësi më i lartë administrativ i çdo institucioni publik është i obliguar të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e kërkuara për COVID-19.

Bartja e maskës është obligative, përveç në rastet gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë anëtarët e ngushtë të familjes, gjatë, vrapit, çiklizmit, ushtrimeve fizike, gjatë ngrënies apo pijes. Po ashtu, ndalohet hyrja në ambiente të mbyllura pa maskë.

Procesi mësimor në arsimin parauniversitar të të gjitha niveleve vazhdon në mënyrë të rregullt dhe me prani fizike, ndërsa në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë, si dhe në institucionet aftësuese dhe të arsimit jo formal, zhvillohet në prani fizike me kushtin që grupet mbi 50 persona të akomodohen në jo më shumë se 50 për qind të hapësirës.

Të gjitha institucioneve publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshime të stafi mësimor apo të nxënësve-studentëve.

Mbledhjet e Kuvendit dhe Qeverisë lejohen pavarësisht numrit të personave duke respektuar mbajtjen e maskave dhe distancën fizike prej një metër në mes të personave.

Lejohen grumbullimet dhe ngjarjet kulturore në ambiente të jashtme deri në 70 persona dhe me distancë prej një metri. Ceremonitë dhe ritet fetare lejohen të zhvillojnë aktivitetet e tyre deri në 50 për qind të kapacitetit shfrytëzues me kusht që posedojnë ndonjërën nga certifikatat e kërkuar kundër COVID-19.

Lejohen funeralet vetëm me pjesëmarrje të familjes së ngushtë, si dhe mbajtja e pritjes për ngushëllime në ambiente të mbyllura deri në 30 persona, ndërsa në ambiente të hapura deri në 70 persona.

Pavarësisht numrit të personave, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës, si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve., pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjar e shoqërore, ekskursioneve në të gjithë territorin e Kosovës.

Gastronomia lejohet të zhvillojë aktivitetin e saj nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 23:00. Muzika lejohet vetëm deri në orën 21:30. Shërbimi me porosi lejohet edhe pas orës 23:00.

Ndalohet hyrja në mjetet e transportit pa maskë, në taksi lejohen deri në dy udhëtarë. Aktivitetet kulturore, biblioteka, muzetë, kinematë, teatrot, koncertet e filarmonisë, operës, baletit, orkestrat, ansamblet, qendrat rinore, qendrat e kulturës lejohen duke shfrytëzuar 50 për qind të kapacitetit të hapësirës.

Lejohen organizimi i garave sportive dhe stërvitjet përkitazi me protokollet dhe rekomandimet e organizatave botërore për organizimin e ngjarjeve sportive dhe me masat mbrojtëse të Kosovës.


Në hapësira të mbyllura lejohet prania e shikuesve deri në 10 për qind, të kapacitetit të objektit.

Ndryshe, Qeveria sot ka miratuar katër projektligje:

Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për statusin e pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Republikës së Kosovës dhe Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territoret e shteteve përkatëse.

Projektligji  për borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore i cili përcakton rregullat e parimeve kryesore dhe procedurave të huamarrjes shtetërore, emetimit të garancive shtetërore, pagesave të kryegjësë dhe interesit për borxhin shtetëror, pagesat e garancive shtetërore të thirrura si dhe shpenzimeve tjera të ndërlidhur me to.

Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e Programit – Nxitja dhe levimi i mundësive për sigurinë e ujit. Marrëveshja i siguron Kosovës një kredi në vlerë prej 25 milionë e 100 euro për të asistuar në financimin e projektit.

Projektligji për ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Programin Shkëmbimit Akademik Fulbright. 

Qeveria ka miratuar vendimin për Kalendarin vjetor të përkthimit të acquis të BE në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës. Ky kalendar do të publikohet në ueb-faqen e Zyrës së Kryeministrit dhe lista e akteve të BE-së do të procedohet për përkthim.

Gjatë përgatitjes së këtij Kalendari janë konsultuar departamentet ligjore të ministrive dhe Komisioni Teknik për Koordinimin e përkthimit të legjislacionit të BE-së, bazuar në Marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për krijimin e Komisionit Teknik për përkthimin e legjislacionit të BE-së në gjuhën shqipe.

Qeveria po ashtu ka miratuar edhe kalendarin e aktiviteteve për vitin 2022, vit i shpallur si viti i personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës nga Kuvendi i Kosovës.

Më tej në mbledhjen e sotme është shfuqizuar vendimi i Qeverisë së Kosovës të datës 5 qershor 2018, për emërimin e zëvendësdrejtorit për shërbime administrative-financiare në Agjencinë e Shërbimit të Navigacionit Ajror.

Sikurse është anuluar edhe vendimi i Qeverisë i datës 11 qershor 2019, në bazë të së cilit ishte miratuar rekomandimi i ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes për ristrukturimin e disa pozitave në këtë ministri.   

Kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime, ndarje dhe harmonizime buxhetore për të mundësuar harmonizimin e ndarjeve buxhetore në kategorinë e pagave dhe shtesave për muajin nëntor të viti 2021, ka marrë miratimin e Qeverisë në këtë mbledhje.

Kabineti qeveritar i ka rekomanduar Presidentes së Republikës së Kosovës që të autorizojë Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare:

1.     Marrëveshjen e kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim për Projektin e trajtimit të ujerave të zeza në Mitrovicë.

2.     Marrëveshjen e kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për zhvillimin e Projektit të zhvillimit të impiantit për ujërat e zeza në Mitrovicë.

Njësoj ka vepruar edhe për dhënien e autorizimit Ministres së Drejtësisë për nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale me Konfederatën e Zvicrës.

Në fund, kabineti qeveritar në mbledhje është informuar edhe për mbledhjen e IV të Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, e cila do të mbahet me 7 dhjetor 2021 në Bruksel.

https://kryeministri.rks-gov.net/wp-content/uploads/2021/11/Vendimet-e-mbledhjes-se-46-te-Qeverise-se-Kosoves.pdf

Lexo edhe

Video

3 Comments

Komentet janë të mbyllura.