Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

Qeveria thotë se AKI do të bëhet së shpejti me drejtor, njohësit kërkojnë që ai të jetë i pavarur nga politika

Qeveria thotë se AKI do të bëhet së shpejti me drejtor, njohësit kërkojnë që ai të jetë i pavarur nga politika

Presidenti dhe kryeministri i Kosovës po shkelin ligjin për Agjencisë e Kosovës për Inteligjencë duke e lënë këtë institucion pa drejtor për më shumë se tre muaj. Në Qeverinë e Kosovës thonë se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kanë shtuar konsultimet lidhur me këtë çështje dhe se shumë shpejtë do të emërohet drejtori i ri. Ndërsa njohësit e fushës presin që kryespiuni të jetë një person i pavarur nga politika.

Ani pse ligji kërkon që shefi i ri i AKI-së të zgjedhet brenda 20 ditë pune nga dita kur pozita e lirë, institucionet ende nuk janë marrë vesh për emrin e ri, që prej 17 dhjetor të vitit 2020 kur kjo pozitë ka mbetë e lirë me shkarkimin e drejtorit të atëhershëm Kreshnik Gashi.

Ligji për AKI-në specifikon se “presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me kryeministrin, emërojnë së bashku drejtorin e AKI-së brenda 20 ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.

Ndërsa tani janë 22 ditë prej kur Kurti po udhëheqë Qeverinë e Kosovës dhe ka më shumë se një javë prej kur Vjosa Osmani është në drejtim të Presidencës por ende nuk është bërë i ditur emri i drejtorit të ri të AKI-së.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përpraim Kryeziu tha se po punojnë që kjo çështje të përmbyllet sa më parë që është e mundur.

“Siç e dini edhe ju emërimi i drejtorit të AKI-së bëhet në bashkëpunim me konsultim me kryeministrin dhe presidenten e vendit, zonja Osmani. Ne jemi shumë të vetëdijshëm për seriozitetin dhe ndjeshmërinë e kësaj çështje dhe po mundohemi dhe po punojmë në vazhdimësi që kjo të përmbyllet sa më parë. Tash që kemi një presidente në zyrë që nga ai momenti presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti kanë shtuar konsultimet e tyre në këtë drejtim, dhe besoj që shumë shpejt do bëhet publik dhe do emërohet drejtori i ri i AKI-së”, tha ai.


E drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj thotë për KosovaPress, se tash kur vendi ka zgjedhë institucionet e reja, duhet që sa më parë të emërohet drejtori i ri i AKI-së, për të cilin thotë se duhet të jetë një person me kredibilitet e integritet profesional.

“Me vet faktin që Kosova është për muaj të tërë pa këtë pozitë, besoj që me vet faktin që institucionet i kemi të formuara, qeverinë dhe kemi të zgjedhur presidentin e ri, një ndër detyrat e para të presidentes aktuale dhe të kryeministrit aktual do të ishte që të caktojnë një person i cili ka kredibilitet, integritet profesional, personal, është i pavarur politik në këtë pozitë, në mënyrë që këtë vakum institucional këto dy institucione ta plotësojnë. Është obligim ligjor i cili besoj që duhet të përmbushet sa më shpejtë që është e mundur”, thotë Miftaraj.

Miftaraj shton se nën anën tjetër, Kosova duhet t’i dëshmojë partnerëve ndërkombëtar, në veçanti shteteve me të cilat bashkëpunon në fushën e sigurisë, që është në gjendje të përmbushë detyrat e saj të caktuara me ligj.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti më 17 dhjetor 2020 i kishte kërkuar Kreshnik Gashit të lirojë pozitën e shefit të AKI-së, për çka ishte mbështetur edhe nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, por që arsyet për një gjë të tillë nuk u bënë të ditura.

E koordnim rreth emërimit të ri nuk kishte në kohën kur Vjosa Osmani ushtronte postin e presidentit të vendit dhe Avdullah Hoti ishte në krye të ekzekutivit, muaj më parë.

Vetëm prej vitit 2015 në AKI janë ndërruar tre drejtorë. i vetmi që e ka përfunduar një mandat të plotë ka qenë i emëruari i vitit 2009, Bashkim Smakaj.

Lexo edhe

Video

1 Koment

  • […] Qeverisë i rekomandohet që në afatin më të afërt ta emërojë drejtorin e AKI-së Qeveria thotë se AKI do të bëhet së shpejti me drejtor, njohësit kërkojnë që ai të jetë i … AKI ende pa drejtor, njohësit e sigurisë thonë se jo stabiliteti politik po dëmton çështjet […]

Komentet janë të mbyllura.

error: