Qeveria reagon pas kërkesës së QUINT-it për referendumin serb

Qeveria reagon pas kërkesës së QUINT-it për referendumin serb

Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, reagoi pas kërkesës së ndërkombëtarëve që t’u lejohet serbëve të votojnë në Kosovë për referendumin serb për ndryshimet kushtetuese.

Ahmeti tha se nuk është duke iu mohuar askujt e drejta e votimit, por kjo e drejtë nuk mund të bëhet duke shkelur sovranitetin e një vendi tjetër ndërsa kujtoi dy mundësitë që kanë serbët që duan marrin pjesë në referendum.

“E drejta e votimit nuk po i mohohet asnjë qytetari të Serbisë në Republikën e Kosovës. Por, kjo e drejtë nuk mund të manifestohet duke shkelur sovranitetin e vendin. Përderisa janë dy mundësi të lehta votimi për këta qytetarë, nëpërmjet postës dhe nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Republikën e Kosovës, çfarëdo kërkese shtesë nga Serbia është vetëm pretekst për destabilizim eventual të vendit e rajonit”, tha Ahmeti.


Zv.ministri i Jashtëm tha se Kosova, si Republikë, është e barabartë mes fqinjëve në rajon, prandaj duhet t’i shihen edhe praktikat e tyre në raport me pakicat serbe dhe me këtë proces votimi. PO ashtu, si vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Ahemti u shpreh se duhet të shihene dhe praktikat e vendeve anëtare të cilat kanë pakica serbe.

“Njohja e së drejtës së dikujt, nuk duhet të bëhet në kurriz të së drejtës së tjetrit. Prandaj, këto kërkesa të paarsyeshme të Serbisë nuk mund të legjitimohen nga praktikat e kaluara të cilat kanë shkelur sovranitetin e vendit. Serbia nëpërmjet këtyre kërkesave ka si synim vetëm legjitimin e destabilizimit eventual të veriut të Republikës së Kosovës dhe të rajonit”, përfundoi Ahmeti.

Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të lejojë mbajtjen e referendumit serb në Kosovë më ndërmjetësimin e OSBE-së.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.