Qeveria propozon rreth 73 milionë euro ndihmë për sektorin privat

Qeveria propozon rreth 73 milionë euro ndihmë për sektorin privat

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka propozuar një pako për emergjencë fiskale.  Ai ka propozuar 41 milionë euro për paga, 12 milionë euro për qiratë për dy muaj dhe 20 milionë për likuiditet të kompanive.

Në një konferencë për media ai tha se masat e marra për mbrojtje nga koronavirusi e kanë penguar prodhimin dhe ka rënie të aktivitetit ekonomik në tri kategori, tek qytetarët, komuniteti i biznesit dhe buxheti i shtetit.

Sipas tij, kapaciteti është shumë i kufizuar dhe borxhi është i lartë për shkak të pa pagesave. Masat e qeverisë edhe në aktivitetin ekonomik janë reflektuar me një automatizëm edhe te të hyrat doganore dhe tatimore nga 7.5 deri në 12.5%. Sipas tij,  mund të ketë 200 milionë euro më pak të hyra.

Ndër 13 pikat e prezantuara, Bislimi ka thënë se Qeveria do t’i kompensojë kompanitë për pagat të cilat ka propozuar të jenë në masën e pagës minimale prej 170 euro.


“Mbulimin e shpenzimeve për paga për ata që janë afektuar në masën e pagës minimale prej 170 euro për dy muaj në vijim, maksimumi i mjeteve të alokuara në këtë masë janë 41 milionë euro. Ne do ta përdorim këtë instrument për të ndihmuar ato kompani që janë ballafaquar me vështirësi, mirëpo po ashtu presim që kompanitë ta mbulojnë pjesën e pagës për të cilën punëtorët kanë kontribuar në dy javët e para. Sepse sic e dini masat masat kanë filluar të zbatohen prej 15 marsit…Subvencionimin e qirasë deri në maksimumin e masës deri në 50% për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për dy muajt e ardhshëm, me një total prej 12 milionë euro. 3) Për punëtorët e ndikuar nga pika 1, që marrin atë pagën shtesë nga qeveria prej 170, qeveria merr përsipër edhe mbulimin e kontributeve pensionale për dy muajt e ardhshëm, në një maksimum prej 8 milionë euro….Shuma e përgjithshme e kësaj pako është 170.6 milionë euro”, theksoi Bislimi.

Ai po ashtu theksoi se mjekët, policët, dhe zjarrëfikësit, shpërblehen me nga 300 euro për dy muaj.

“Qeveria e Republikës së Kosovës në bazë të këtij propozimi për këto kategori të nëpunësve publikë do të ndante një shpërblim shtesë në masën fikse prej 300 eurove për secilin në dy muajt në vijim. Në total për këtë masë do të ndaheshin 15 milionë euro. Pa marrë parasysh nivelin e pagës, gradës secili përfiton prej 300 euro për dy muaj në vijim. Masa e shtatë apo propozimi i shtatë: përkundër faktit që masat e qeverisë për mbajtjen e distancën fizike kanë synuar parandalimin e shpërndarjen së infeksionit, kanë qenë punëmarrësit e marketeve ushqimore, furrave dhe farmacive që kanë punuar rregullisht duke synuar furnizim të amvisërive me nevojat ushqimore. Për të gjithë këta punonjës   Qeveria e Kosovës do të ndajë nga një pagesë shtesë në masën e 100 eurove për dy muajt në vijim. Për këtë masë do  të ndahen 3 milionë euro”, deklaroi Bislimi.

Ai po ashtu ka theksuar se në këtë situatë pandemike,  punëtorët të cilët humbin punën gjatë kësaj kohe Qeveria e Kosovës merr përsipër pagesën e një asistence mujore prej 130 eurove, në tre muajt në vijim. Për këtë ai ka propozuar të ndahen 4 milionë euro.

Nga ana tjetër, sot odat ekonomike të Kosovës kishin kërkuar 300 milionë euro për fondin emergjent.

Lexo edhe

error: