Qeveria nuk i kompenson punonjësit e çerdheve as prindërit e liruar nga puna

Qeveria kohë më parë, në kuadër të masave kundër COVID-19 mori vendimi për mbylljen e çerdheve, por që nuk ka paraparë edhe kompensimin e punonjëseve të këtij sektori privat.

Përveç kësaj, Qeveria nuk ka planifikuar t’i ndihmojë as bizneset e sektorit privat për mbulimin e pagave për punëtorët që janë të liruar të kujdesen për fëmijët e tyre në shtëpi.

Përkundër që bizneset kanë hasur në vështirësi për sigurimin e pagave, ministri i Financave, Hekuran Murati thotë për KosovaPress se nuk do të ketë mbështetje të pagave për lirimin e njërit prind nga puna.

Sigurimin e këtyre pagave janë të obliguar që ta bëjnë punëdhënësit, në këtë rast bizneset.

Murati premton se do të nxjerrin një pako mbështetëse financiare për bizneset e afektuar nga masat e fundit, jashtë Pakos për Ringjalljen Ekonomike.   

“Sa i përket çështjeve të çerdheve e kuptoj që mund të ketë përbërë shqetësim për shumë familje, por ndërhyrja dhe targetimi specifik i atyre personave, duket kuptuar që në aspektin logjistik është është e vështirë që të identifikohen të gjithë ato raste, specifike që kanë pasur probleme, e po ashtu bëhet fjalë për një periudhë shumë të shkurt. Po të ishte vendim afatgjatë, do të mund të ndërtohet ndonjë mekanizëm, por me që bëhet fjalë për çështje disa javësh ka qenë e pa mundur që ne të reagojmë me kohë. Megjithatë, besoj që shumë shpejt do të kemi edhe një masë tjetër plotësuese që ka të bëj jashtë Pakos për Ringjalljen Ekonomike, marrë parasysh valën e re që kishim të pandemisë, e cila për disa familje ka vështirësuar gjendjen e përballimit me pandeminë”, thotë ai.  


E ky vendimi i fundit qeveritar ka vënë në vështirësi bizneset për lirimin e njërit prind nga puna. Për këtë drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermane në Kosovës, Nora Hasani, thotë për KosovaPress se e kanë të vështirë sigurimin e pagave për punëtorët që janë të liruar nga puna.

“Prindërit që janë të dytë të punësuar në sektorin privat, ku kërkohet ndoshta edhe prezencë fizike, punëdhënësi është i detyruar të gjejë zëvendësim për atë kohë sa mungojnë (nënat-dhe baballarët). Në këtë rast gratë që punojnë që janë nëna po rëndohen edhe për atë kohën që mungojnë në punë, punëdhënësi është i detyruar të gjejë një zëvendësim ndoshta. Dhe shtrohet pyetja kush do t’i mbulojë ato shpenzime që po i krijohen punëdhënësit”, tha Hasani.

Edhe drejtori i ATK-së Ilir Murtezaj thotë për KP se vendimi i fundit i Qeverisë nuk ka paraparë kompensimin e pagave për këto kategori.

“Në këtë drejtim, nga informatat që kemi nga vendimi i fundit i qeverisë së republikës së Kosovës i cili ka paraparë edhe këtë masë për mbylljen e çerdheve dhe lirimin nga puna njërin nga prindërit që janë të punësuar, qoftë në sektorin publik ose privat nuk ka paraparë kompensim mos dalja në punë. Derisa nuk ka paraparë, sigurisht që edhe nuk do të ketë kompensim. Është planifikuar që kompensimi të jetë nga punëdhënësi”, thotë ai.

Në anën tjetër, për kompensimin e bizneseve të cilat u afektuan me masat e marra nga 30 gushti për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, ministri Murati thotë se kufizime pati më së shumti sektori i gastronomisë, eqë përfitoi nga Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike për përgjysmim të TVSH-së nga 18 në 8 përqind.

“Sa i përket sektorit të gastronomisë e kuptoj se disa kufizime për shumicën e tyre pasi që është kufizuar operimi brenda hapësirave, por megjithatë nuk është se nuk ka pasur mbështetje. Nëse flasim veçanërisht për sektorin e gastronomisë mbështetja e tyre që u është dhënë ka qenë me Ligjin për Rimëkëmbje që ka të bëjë me TVSH-në e reduktuar. Pra, në vend të normës 18 përqind, atyre u ngarkohet norma 8 përqind. Bëhet fjalë për rreth 15 milionë euro që me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, shteti ua ka falur. Ky ka qenë subvencionimi për ta marrë parasysh që herë pas herë do të kenë vështirësi gjatë operimit për shkak të masave që do të ndërmerren”, theksoi Murati.

Masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19 që janë në fuqi nga 30 gushti, që përfshijnë mbylljen e shkollave, kufizimin e operimit të gastronomisë, mbylljen e dasmave dhe ahengjeve, mbylljen e çerdheve dhe ora policore prej orës 22:00-05:00 mbesin në fuqi deri më 26 shtator.

Lexo edhe

Video