Qeveria ndan rreth 30 milionë euro për skemat pensionale e sociale

Qeveria ndan rreth 30 milionë euro për skemat pensionale e sociale

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për ndarjen e 100 eurove shtesë për përfituesit e skemës pensionale për nëntor dhe dyfishimin e pagesës për ndihma sociale për periudhën nëntor-dhjetor të këtij viti.  Vendimi i tillë rreth 30 milionë eurosh u tha se prek direkt 320 mijë familje.

Ekzekutivi po ashtu i dha “dritën e gjelbër” edhe ndërtimit të rrugës Prizren-Tetovë, miratoi projekt-rregulloren që mundëson regjistrimin e veturave pa pasur nevojë pagesën e tatimit në pronë, si dhe shfuqizoi vendimin për shpronësimin e pronave në segmentin Kijevë-Klinë-Zahaq.

Para fillimit të mbledhjes qeveritare, kryeministri Kurti kërkoi nga qytetarët që të ruajnë qetësinë dhe durimin, pasi do të ketë një sërë masash për t’i dalë në ndihmë pas ngritjes së çmimeve të produkteve elementare.

“Ne varemi nga importet e përditshme, bashkë me importet, importojmë edhe inflacionin. Konsumi në Kosovë zë një komponentë të rëndësishme të importit. Ushqimi dhe pijet kryesisht për konsum të ekonomive familjare përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të importeve totale të mallrave të konsumit… Ky është një mesazh i qartë për riorientim të ekonomisë drejt prodhimit dhe eksportit  dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Në këtë drejtim, në përputhje me programin tonë qeverisës dhe vizionin tonë për ekonomi, po angazhohemi për nxitje të investimeve për kapacitetet prodhuese dhe eksportuese. Fushata që në qendër ka fajësimin e qeverisë për rritjen e imponuar të çmimeve për efekt, mund të ketë veçse shtrimin e terrenit për manipuluesit për të ngritur çmimit. Ku secili çmim duhet të ngrihet pavarësisht a ka ngritje të kostos apo jo. Në anën tjetër të nxisë nervoz, frikë dhe panik te qytetarët. Të dashur qytetarë, kërkoj nga ju të ruani qetësinë dhe durimin, teksa po punojmë nga sot dhe ditët në vijim të kemi një pako masash që do t’iu vijnë të tejkaloni më lehtë vështirësitë financiare që ju keni”, tha Kurti.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se ndarja e mjeteve për skemat pensionale dhe sociale për nga vëllimi i familjeve që ndikon është më i madhe ndonjëherë. Ai tregoi në detaje se cilat kategori do të përfitojnë nga kjo ndarje buxhetore.

“Me këtë vendim do të ndajmë 100 euro shtesë për secilin përfitues pensioni nga skemat pensionale që paguan shteti, për aq sa pensioni nuk kalon 500 euro. Kjo masë për nga vëllimi i familjeve që prek është më e madhja që është miratuar ndonjë herë me afërsisht 300 mijë euro që do të përfitojnë. Pra pothuajse secila familje do ta ndjejë dorën e shtetit. Nga kjo masë do të përfitojnë 200 mijë pensionist, 50 mijë familje nga kategoritë e luftës, 20 mijë persona me aftësi të kufizuara dhe 30 mijë pensionist të kategorive të tjera… Kjo masë synon dyfishimin e pagesës për dy muajt e mbetur të vitit, të ndihmës që pranojnë këto familje me asistencë sociale. Nëse para qeverisjes tonë një familje ka marrë 100 euro, si asistencë sociale, me ardhje tonë në qeveri kemi rritur me 30 për qind ndihmën sociale, që i bie 130 euro. Pra me këtë dyfishim rritja do të jetë 260 euro. Kjo është tepër e nevojshme duke marrë parasysh luhatjen e çmimeve që kemi pas dhe rritjen e kostos së jetesës”, tha Murati.


Vendimin për anulimin e shpronësimit të pronave për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Klinë-Zahaq, kryeministri Kurti tha se ka qenë i domosdoshëm me qëllim të ndaljes së keqpërdorimit të parasë publike.

“Pas gjetjeve të auditorit që shpërfaqini shkelje të shumta në procesi ne shpronësimit të pronave të paluajtshme që prekin nga ndërtimi i autostradës Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Klinë-Zahaq dhe me qëllim të ndaljes së keqpërdorimit të parasë publike, përkatësisht shpërputhjen prej 12 milionë eurove, ministri Murati ka dërguar këtë rast në Prokurorinë Speciale. Sot edhe formalisht po e anulojmë këtë proces të dëmshëm”, tha Kurti.

Ekzekutivi vendosi sanksione ndërkombëtare ndaj shtatë individëve të lidhur me organizatën terroriste, Hezbollah dhe kompaninë AlDar Properties.

Ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla tha se ky vendim i kontribuon partneritetit të ngushtë me ShBA-në.

“Marrja e një vendimi të tillë do të kontribuonte në partneritetin e ngushtë me ShBA-të dhe partnerët të tjerë të vendit në mbrojtën e vlerave të përbashkëta, paqes dhe sigurisë”, deklaroi Gërvalla.

Në mbledhjen e sotme, qeveria ndryshoi edhe agjendën legjislative për vitin 2021, miratoi projektligjin për tokën ndërtimore dhe produktet biocide. Ndërkohë, u miratua  koncept-dokumenti për vlerësimin strategjik-mjedisor dhe i dërguan kandidatët për bordin e  Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Lexo edhe

Video

error: