Qeveria ndan 5 milionë euro për Ministrinë e Bujqësisë, 430 mijë euro për specializantët

Ekzekutivi në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare për Ministrinë e Bujqësisë për zbatimin e vendimit për pakon e Ringjalljes Ekonomike masa 2.5.

Ministri për Buxhet, Punë dhe Transfere, Hekuran Murati pas mbledhjes së qeverisë ka thënë se

“Mund të veçoj vendimin për ndarjen e pesë milionëve shtesë në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike për Ministrinë e Bujqësisë. Po ashtu miratimin e projektligjit për amandamentimin e marrëveshjes ekzistuese që mundëson investime shtesë në sistemin e ujit të pijshëm dhe kanalizimeve në Kosovë… Po vijmë nga seanca që sapo u miratua Ligji për Buxhetin, ku me këtë rast mundësohet fillimi i zbatimit të plotë të pakos së ringjalljes ekonomike. Një ndër masat e para që do të fillojë formalizimin e punësimit, në kuadër të kompanive ekzistuese në mënyrë që të sigurohen të drejtat e punëtorëve ”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, në mbledhjen e kabinetit qeveritar, Murati ka folur për raportin gjashtë-mujor të këtij viti.

“Konstatojmë se gjithsejtë pranimet për gjatë gjashtë mujorit arritën vlerën prej 1 miliard e 185 mijë euro, kurse gjithsejtë pagesat arritën vlerën në 1 miliard e 26 milionë euro, me një rritje prej 10 për qind krahasuar me periudhën raportuese. Si rezultat i pranimeve më të mëdha se sa pagesave, bilanci i fondeve po ashtu ka shënuar rritje prej 158, 43 milionë euro”, ka njoftuar Murati.


Më tej, Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe vendimin për ndarjen e 430 mijë eurove për pagesën e specializantëve për muajin korrik.

“Këtë ndryshim e kemi reflektuar në rishikim të buxhetit. Mirëpo, meqenëse tek sot është miratuar dhe hyrja në fuqi e buxhetit të rishikuar mund të marrë edhe pak kohë, për tu siguruar që specializantët paguhen me kohë duhet të marrim këtë vendim e pastaj duhet të ri përshtatën shumat pas hyrjes në fuqi të ligjit të rishikimit të buxhetit. Po ashtu, kjo masë është e paraparë edhe në pakon e ringjalljes ekonomike, më saktësisht tek masa 4,1 për mbështetjen për shëndetësi. Sipas këtij vendimi ndahen 430 mijë euro për pagesën e specializantëve për muajin korrik”, ka shtuar Murati.

Pas situatës me helmimet në Deçan për shkak të kontaminimit të ujit të pijshëm, MAPL ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me komunën e Deçanit, në vlerë prej 150 mijë euro.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka treguar për detajet e kësaj marrëveshje.

 “MAPL ka nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit me kryetarin e komunës së Deçanit për financimin e projektit “Rehabilitimi i rrjetit të ujësjellësit”, në vlerë prej 150 mijë euro. Kjo shumë e mjeteve buxhetore do të alokohet nga programi komunal për zhvillim dhe infrastrukturë socio-ekonomike dhe gjithashtu për bashkëpunim rajonal”, u shpreh Krasniqi.

Kabineti qeveritar të mërkurën  ka themeluar komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e pesë anëtareve të bordit në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale. Samit Gorani do të jetë kryesues, Fadile Dyla dhe Irfan Lapovica do të jenë anëtarë.

Lexo edhe

Video

error: