Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së enjtes ka marrë një sërë vendimesh, ku u miratua edhe propozim vendimi për bartjen e Zyrës për çështjet e kategorive të dala nga lufta nga UÇK-ja në kuadër të Ministrisë për Punë, Familja dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se bartja e zyrës synon forcimin e përkujdesjes institucionale dhe koordinim të drejtpërdrejtë.
Në këtë mbledhje u miratua edhe shqyrtimi i propozim vendimit për themelimin dhe funksionimin e sistemit për zbatimin e mbështetjes së Bashkimit Evropian për Kosovën përmes instrumentit për reforma dhe rritje ekonomike për Ballkanin Perëndimor.
“Nëpërmjet këtij vendimi vendosim sistemin kombëtar për zbatimin së mbështetjes së BE përmes instrumentit për reforma. Jeton Zulfaj këshilltar politik i kryeministrit, përmes këtij vendimi, emërohet koordinator kombëtarë për instrumentin për reforma dhe rritje ekonomike”, tha Kurti.
Një tjetër miratim ishte edhe zgjatja për tre muaj për mandatin e komisionit për verifikimin e diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut.
Disa vendime të tjera që u miratuan në këtë mbledhje ishin edhe kërkesa për Presidenten për dhënien e autorizimit për ministren e drejtësisë për nënshkrimin e marrëveshjes për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale me Qeverinë e Mbretërisë së Belgjikës, pagesa e 37 specializantëve me vetëfinancim nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe Shqipëria.