Qeveria krijon Komisionin Ndërministror për Investime Strategjike

Qeveria krijon Komisionin Ndërministror për Investime Strategjike

Qeveria në detyrë e Kosovës ka themeluar sot  në mbledhjen e radhës Komisionin Ndërministror për Investime Strategjike dhe ka shfuqizuar vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë për caktimin e qendrave për hapësirë të karantinës.

Komisioni Ndërministror për Investime Strategjike do të jetë në përbërje:  Rozeta Hajdari, ministre e Ekonomisë, kryesuese; Besnik Bislimi, ministër i Financave dhe Transfereve, anëtar; Lumir Abdixhiku, ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit, anëtar; Besian Mustafa, ministër i Bujqësisë, anëtar; Emilia Rexhepi, ministre e Administrimit të Pushtetit Lokal, anëtare; kryetari i Komunës në të cilën realizohet investimi strategjik, anëtar; ministri përgjegjës për sektorin në të cilin realizohet investimi strategjik, anëtar dhe Sami Istrefi, Avokat i Përgjithshëm Shtetëror, anëtar.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin me të cilin Qeveria ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë që nga data 30 maj 2020 të shfuqizohen vendimi me të cilin Qendra e Studentëve në Prishtinë është caktuar si hapësirë karantine dhe vendimi i GNMI MPBAP me të cilin është caktuar qendra për të huaj në Vranidoll si hapësirë karantine.


Ministria e Shëndetësisë obligohet të sigurojë që personat që gjenden në karantinë në Qendrën e Studentëve dhe në Vranidoll, t’i testojë për Covid-19 dhe të njëjtit të lirohen në vetizolim për 14 ditët e ardhshme, nën mbikëqyrjen e ekipeve mjekësore dhe njësive tjera përkatëse.

Në vijim, të gjithë personat që hyjnë në Kosovë obligohen të vetizolohen për 14 ditë të ardhshme, nën mbikëqyrjen e ekipeve mjekësore dhe njësive tjera përkatëse.

Të gjitha vendimet tjera që kanë rregulluar procedurat e karantinës shfuqizohen.
Në arsyetim të vendimit thuhet se situata epidemiologjike në vend konsiderohet me rrezik të reduktuar, krahasuar me situatën paraprake sipas konstatimeve të IKSHPK-së dhe Zyrës së OBSh-së në Kosovë.

 

Lexo edhe

Video

1 Comment

Comments are closed.

error: