Qeveria e gatshme për hartimin e një drafti për Asociacionin, opozita dhe njohësit e konsiderojnë të vonshme
Lexohet për: 2 min.
qeveria-040124
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Në Qeverinë e Kosovës thonë se janë të gatshëm për hartimin e një draft-statuti të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por jo të ndarë nga Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit. Sipas tyre, tema e Asociacionit kërkon një konsensus nacional, megjithatë nga opozita dhe njohësit, thonë se kjo është e vonshme, joserioze dhe po bëhet vetëm për të blerë kohë në dialog.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, thotë për KosovaPress, se nëse krijohen rrethanat që të krijohet një komision profesional për hartimin e një drafti për statutin e Asociacionit, ai do të bëhet në përputhje me Kushtetutën.

Mirëpo, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj thotë se këto janë përpjekje të vonshme të qeverisë dhe po bëhen vetëm për të blerë kohë në dialog.

Në anën tjetër, profesori i të drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani thotë për KosovaPress, se tendenca e qeverisë që të themelojë vet një draft-statut për Asociacionin është joserioze.

Sipas tij, procedura për themelimin e Asociacionit dihet dhe se qeveria s’mundet njëanshëm të hartojë të njëjtit, por duhet të shkojë përmes ndërmjetësve në dialog dhe me pajtimin e palës serbe.

Muajin e kaluar, ministri për komunitete dhe kthim, Nenad Rashiq tha për KosovaPress, se është i gatshëm të përfshihet për hartimin e një draft-statutit për Asociacionin.

Gatishmërinë për hartimin e një drafti për Asociacionin dhe dërgimin e tij për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese e ka dhënë si mundësi edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, si dëshmi e garancisë për ecjen tutje në anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025