Qeveria do të punësojë persona me aftësi të kufizuara

Qeveria do të punësojë persona me aftësi të kufizuara

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati mbajtën sot takim me përfaqësues të organizatave jo qeveritare, ku ndër të tjera u nënshkruan edhe marrëveshje të bashkëpunimit për zbatimin e masës 1.6 – Mbështetja e Personave me Aftësi të Kufizuara të Pakos së Ringjalljes Ekonomike në mes të Qeverisë dhe OJQ-ve.

Kështu bënë të ditur Zyra e kryeministrit përmes një njoftimi për media.

“Kjo masë, që e kemi dizajnuar së bashku, synon të arrijë dy objektiva: e para, nxënien e shkathtësive nga personat me aftësi të kufizuara dhe e dyta, punësimin e qëndrueshëm të tyre.  Nxënia e shkathtësive është e destinuar që të rezultojë me punësim. E për të nxitur dhe mundësuar punësim të garantuar dhe të qëndrueshëm, ne zotohemi që bizneseve që lidhin kontratë të rregullt pune me personat që kanë ndjekur trajnimet, t’ua subvencionojmë pagën e punëtorit deri në 270 euro në muaj, për 6 muaj me radhë. Pra 270 euro për gjashtë muaj me radhë, që i bie më shumë se sa niveli bruto i pagës minimale, të cilën e kemi kaluar tashmë në lexim të parë në Kuvendin e Republikës”, u shpreh kryeministri Kurti.

Ministri Murati tha se ndonëse masat e pakos kanë qëllim të krijojnë prosperitet për të gjithë, ato shpeshherë janë edhe të targetuara. Ai gjithashtu theksoi se masa 1.6 ka një mekanizëm të veçantë zbatimi ku organizatat kanë rol thelbësor në monitorim duke identifikuar sfidat dhe arritjet përgjatë vijueshmërisë së masës.

Kryeministri Kurti, ministri Murati dhe përfaqësuesit nga organizatat jo-qeveritare u pajtuan që kjo masë të trajtohet si një pilotim në mënyrë që të nxirren mësimet e nevojshme me synimin që të kthehet në një masë afatgjatë.

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:


Më 3 dhjetor të vitit të kaluar, e patëm shpallur vitin 2022, vit të personave me aftësi të kufizuara. Këtë vendim e morëm pikërisht në datën, që shënon përpjekjet globale për krijimin e një ambienti, në të cilin personat me aftësi të kufizuara nuk ndihen të përjashtuar, por pjesëmarrës dhe të barabartë.

Edhe ne si Qeveri, kemi ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar një ambient të tillë. Në kohën kur po flasim, qasja në tregun e punës është domosdoshmëri. Andaj, vazhdimisht kemi hartuar e përkrahur politika që synojnë nxënien e shkathtësive të gjithsecilit, pa dallim.

Para më pak se një muaj, prezantuam para jush skemën “Qeveria për Familjet”. Një masë e re e qeverisë për garantimin e punësimit, ashtu, që çdo familje në Kosovë të ketë të paktën një anëtar të punësuar. Ndërsa sot, po fillojmë zbatimin e përbashkët të Masës 1.6  “Mbështetja e Punësimit të Personave me Aftësi të Kufizuara” të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, dhe po e konkretizojmë atë dhe bashkëpunimin tonë duke nënshkruar një marrëveshje dypalëshe.

Kjo masë, që e kemi dizajnuar së bashku, synon të arrijë dy objektiva: e para, nxënien e shkathtësive nga personat me aftësi të kufizuara dhe e dyta, punësimin e qëndrueshëm të tyre.

Nxënia e shkathtësive është e destinuar që të rezultojë me punësim. E për të nxitur dhe mundësuar punësim të garantuar dhe të qëndrueshëm, ne zotohemi që bizneseve që lidhin kontratë të rregullt pune me personat që kanë ndjekur trajnimet, t’ua subvencionojmë pagën e punëtorit deri në 270 euro në muaj, për 6 muaj me radhë. Pra 270 euro për gjashtë muaj me radhë, që i bie më shumë se sa niveli bruto i pagës minimale, të cilën e kemi kaluar tashmë në lexim të parë në Kuvendin e Republikës.

Mirëpo, në procesin e arritjes së objektivave që përmenda më parë, ju si përfaqësues të organizatave jo-qeveritare keni rol thelbësor. Së pari, identifikimin e personave, që do të ndjekin trajnimet dhe të bizneseve ku do të mbahen ato trajnime, dhe së dyti, ju duhet të siguroheni që ato realizohen në koordinim të plotë me programin dhe misionin e organizatës suaj. Ndërkohë, kujdesemi që të identifikojmë arritjet dhe sfidat në zbatimin e masës, të cilat na shërbejnë, që sërish së bashku të diskutojmë për avancimin e masës.

Si Qeveri, mbetemi të përkushtuar për të mbështetur personat me aftësi të kufizuara në punësim dhe jo vetëm. E konsiderojmë këtë masë si hapin e radhës në punën tonë për rritjen e mirëqenies për të gjithë qytetarët tanë. Andaj, duke ju falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm, shpresojmë që do të vazhdojmë bashkëpunimin frytdhënës edhe në vijueshmëri të zbatimit të masës.

Lexo edhe

Video