Qeshë i vogël e u rrita, në prehër të nënës u mërzita…

Qeshë i vogël e u rrita, në prehër të nënës u mërzita…

Kthjelluni o njerëz!

Sot Kosova ka ecje interesante si përpara e po ashtu edhe prapa. Lëvizjet i janë bërë shumëdrejtimshe po mendësia i ka mbetur njëdrejtimshe falë atyre që u moshuan po nuk u rritën.

Plot, jo pak ”multiprofesionalë”, që flasin e veprojnë në emër të sovranit nuk lodhen për sovranin, dhe ata nuk u rritën edhe pse u moshuan. Veprimet e tyre mbetën po të njëjtat po sikur atëherë kur në çerdhet e kopshtet, në filloret e ndërtesave dhe institucioneve shkolla recitonin vjershën “Qeshë i vogël e u rrita, në prehër të nënës u mërzita…”.

Vjershën e recitonin mirë dhe bukur dhe me emocion, por kur nuk e mësuan se çfarë do të thotë i vogël, po kurrë nuk e mësuan se çfarë është procesi i rritjes, e po kurrë nuk e mësuan se çfarë është prehri i nënës a çfarë kuptimi ka nocioni nënë e çfarë do të thotë të mërzitesh.

Kur mendja e mendësia të është njëdrejtimshe e ke të vështirë të kuptosh a të mësosh atë që nuk ta mësuan. Të germëzosh dhe të lexosh vëmendshëm duke e kuptuar atë që e ke lexuar janë procese të ndryshme.

Ata janë pafuqishëm të fuqishëm dhe nëpërmjet mendësisë njëdrejtimshe na lodhin e na mërzisin duke u moshuar e duke u mos rritur po duke u munduar të ndalin rritën si duhet të atyre që duhen rritur.

Këta të njëdrejtimshëm vështirë e kanë ta kuptojnë e ta kapin procesin e shkrimit e të kuptuarit. Ata nuk e kanë idenë se fjala nga mendja bie shumë lehtë në letër a del nga goja, po shumë vështirë ngrihet nga letra për të hyrë në mendje – dhe e tëra për shkak të gravitetit.

Prandaj fëmija i prindërve të pakujdesshëm rritet keq dhe para kohe, dhe edhe kur moshohet mbetet i vogël a fëmijë dhe me guximin e pa kontrolluar se si flet e ku flet e çka e kujt i flet.

Janë këto përditshmëri e shoqërisë njëdrejtimshe. Ku vetëm kërkohet e drejta po nuk ka mërzitje për të plotësuar detyrimin për të marrë e fituar të drejtën, dhe kjo ec e ec dhe nuk dihet se deri kur do të ecë?!

Është një vend, institucion që kujdeset për rritjen dhe edukimin e fëmijëve deri në moshën tre vjeç, që i thonë çerdhe, e një vend tjetër, po ashtu institucion edukues dhe arsimor për fëmijët parashkollorë prej tre deri në gjashtë vjeç e që i thonë kopsht. Dhe në të dy këto vende – institucione merren shërbime për të cilat paguhet. Dhe për të marrë shërbimin duhet edhe të kryhen detyrimet e duhura.

Çerdhja dhe kopshti kujdesen për fëmijët që ata ta kenë freskët kur është nxehtë e ta kenë ngrohët kur bën ftohët, që të kenë ku të qëndrojnë deri sa prindërit e tyre punojnë, të kenë ku të pushojnë e flenë, të kenë ku të ushqehen e ku të pastrohen, të kenë ku të luajnë e të shoqërohen deri sa nuk vijnë t’i marrin, dhe të kenë ku të mësojnë gjërat e fillimjetës, dhe për të gjitha këto shërbime përfshirë edhe thirrjen në rast të ndonjë përkeqësimi të gjendjes shëndetësore të fëmijës, prindërit paguajnë për muaj një shumë të caktuar parash të cilat nuk mjaftojnë po nuk i kryen edhe detyrimet e tjera karshi çerdhes e kopshtit. Prindërit duhen që në orën e duhur të dërgojnë fëmijët në çerdhe a në kopsht, e po ashtu edhe në orën e duhur t’i marrin fëmijët nga çerdhja a nga kopshti, t’i përgatisin fëmijët si duhet duke i dërguar të pastruar në çerdhe a në kopsht, të ushqyer e të shëndetshëm e me rroba rezervë qoftë për veshmbathje e qoftë për ndërrim të pelenës në rast se pakontrollueshëm fëmijët e bëjnë kakën a urinojnë, dhe edhe duhet të lënë së paku një numër telefoni ku mund t’i thërrasin nëse diçka nuk është si duhet me fëmijët e tyre. Kjo është marrëdhënia kontraktuale çerdhe – prind a kopsht – prind.

Po njëjtë edhe në ciklin e ulët e në ciklin e lartë të shkollimit parauniversitar do të duhej të ishte, hiç ato që u thonë pelena pasi që fëmijët e rritur nuk e bëjnë kakën pakontrollueshëm e as nuk do të duhej të urinonin pakontrollueshëm ndër veti a në klasë pasi që këtë do duhej ta bënin në vendin e duhur në godinën shkollë – institucion.

Jeta e qytetarëve të vendit të qytetëruar zhvillohet bazuar në marrëveshjet e përcaktuara – pra me kontratë. E kontrata, e cila është marrëveshje me shkrim ndërmjet dy palëve, përcakton të drejtat dhe detyrimet ligjore të tyre. Dhe kur ato nuk respektohen thirret institucioni përkatës për të ndarë drejtësinë.

E në vendin tonë të njëdrejtimshëm ka kontrata po ato nuk respektohen edhe kur respektohen.


Prandaj nuk është çudi pse ndodhin çuditë në vendin e mendësisë njëdrejtimshe, në vendin kur marrëveshja që i thonë kontratë nuk respektohet e ku kërkohet të merret krejt po të mos jepet asgjë.

Të gjithë janë çuar peshë në vendin e mendësisë njëdrejtimshe.

Jemi në demokraci dhe lejohet që t’i shkruhet kujtdo e kurdo, e t’i thuhet kurdo e çfarëdo.

E guximshmja dhe i guximshmi ia thotë, se ka ardhur që secila dhe secili t’ia thotë:

Na jemi pjesëtarët e popullit të lashtë dhe e duam shkollën e administratën e shoqërinë kësisoj, e duam sistemin pa sistem, e duam përgjegjësinë pa përgjegjësi, e duam nxënësin e nxënësen e studentin e studenten pa kompetencë që të mos u bëjnë konkurrencë atyre që ne duam, po edhe atyre që duan të jenë mbi popullin duke folur në emrin e tij e për te me lejen e pa lejen e tij.

Ju faleminderit o njerëz të popullit të lashtë që po na jepni këtë mundësi!?!?

Besoj se qytetarit i “është krijuar” një mjedis i ”shëndetshëm”!?!?

Por, të mjekosh e të shërosh janë dy koncepte, po duhen bërë që të dyja në këtë vendin tonë të mendësisë njëdrejtimshe.

Po, vendi ynë ka nevojë për të dyja, dhe pritet nga ata që duhet që ta krijojnë mjedisin ku do të nisë mjekimi e ku do të vjen shërimi.

Sëmundja nuk është gjithmonë ajo gjendja e keqe e trupit, po ndërlidhet edhe me gjendjen e keqe të shoqërisë.

Janë disa sëmundje për të cilat thonë se nuk kanë shërim, dhe ata që pajtohen as që i hynë mjekimit – kjo me sëmundjet e trupit. Po me sëmundjet e turpit që u bien shoqërisë nuk është kështu o s’paku nuk do të duhej të ishte.

Prandaj – Kthjelluni o njerëz!

Por duke mos harruar se jeta nuk ec duke recituar “Qeshë i vogël e u rrita, në prehër të nënës u mërzita…” pa e kuptuar?!?!

Që dikush duhet të jetë këtu për t’ia krijuar mjedisin e shëndetshëm të gjithë atyre që duan ta çojnë përpara shoqërinë duke përparuar edhe vetë, e jo si deri me tash – të rri shoqëria aty ku është e ata të ecin atje e atje dhe ata që nuk u lodhën e nuk u mërzitën të na lodhin e të na mërzitin pa u lodhur e pa u mërzitur.

Lexo edhe

Video