Qeriqi: Në Izbicë dëshmohet se Serbia ka qenë e vendosur të shfarosë popullin shqiptar
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Sot, u bënë homazhe në kompleksin memorial në Izbicë të Skenderajt, në 24-vjetorin e masakrës, ku janë vrarë 147 persona, gjashtë prej të cilëve ende të zhdukur.

Xhevdet Qeriqi nga Organizatat e dala nga lufta u shpreh se në Izbicë dëshmohet që Serbia ka dashur të shfarosë qytetarët e Kosovës.

Për krimet e kryera, Qeriqi tha se duhet të gjykohet dikush dhe jo që padrejtësisht të gjykohen luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Këtu dëshmohet që Serbia ka qenë e vendosur që me çdo çmim ta çfarosë popullin shqiptar. Është një vend i sakrificës, i vuajtjes, një vend ku janë masakruar edhe fëmijë deri në moshën njëvjeçare, pleq, fëmijë, gra. Kështu që, për këtë krim duhet të gjykohet dikush, e jo padrejtësisht të akuzohen e gjykohen luftëtarët e UÇK-së”, u shpreh ai.

Qeriqi shpreson që shumë shpejt ish-krerët e UÇK-së të kthehen në Kosovë.

Ndërsa, deputetja Ganimete Musliu u shpreh se masakra e Izbicës është dëshmi e gjallë se çka ka ndodhur aty në vitin 1999.

Ajo potencoi se Kosova duhet të jetë krenare me të kaluarën e saj.

Musliu tha rëndesa e dhimbjes është dhumë e madhe pasi ish-krerët e UÇK-së gjenden në Hagë. Ajo tha se ata kanë bërë përpjekje maratonike për të mbrojtur popullsinë civile nga agresori serb dhe për të ndalur gjenocidin në Kosovë.

Sot, janë bërë 24 vjet nga masakra e Izbicës, ku më 28 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, kanë veçuar 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i kanë vrarë dhe masakruan, ndërsa pjesën tjetër e kanë dëbuar jashtë Kosovës. Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore është bërë lajm botëror. 24 vjet pas këtij krimi askush nga autorët dhe ekzekutuesit serbë nuk ka dalë para drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024