Qëndron Kastrati – Arbërie Nagavcit: Ndale manipulimin!

Qëndron Kastrati – Arbërie Nagavcit: Ndale manipulimin!

Kryetari i Kamenicës Qëndron Kastrati ka akuzuar ministren e Arsimit Arbërie Nagavci se po i manipulon banorët e kësaj komune duke penguar mbarëvajtjen e reformave arsimore, gjë të cilën ai e quan kryekëput  politike dhe pas së cilës qëndron Lëvizja Vetëvendosje.

Reagimi i kryetarit Kastrati vjen pasi banorët e Shipashnicës së Kamenicës penguan sot zyrtarët komunalë të vendosin inventarin në shkollën e fshatit, gjë e cila shkaktoi reagimin e Policisë së Kosovës duke përdorur sprej kundër tyre.

Kryetari Kastrati për incidentin e sotëm ka fajësuar ministren Nagavci, e cila sipas tij po i nxit banorët me premtime kundër reformave arsimore në Kamenicë dhe se më këtë ajo njëherësh po dëmton edhe vetë nxënësit në humbjen e procesit mësimor.

“Një qeveri që është dorëzuar para veriut të Mitrovicës duke ua paguar rrymën kripto-kriminelëve, sot e ka gjetur në një komunitet të vogël ta zhvillojë betejën e saj politike. Në këtë komunitet ku po ndodh një reformë e mirëfilltë para të cilës ju vetë jeni dorëzuar. Fatmirësisht, jo të gjithë politikanët e shohin politikën si instrument për t’u fuqizuar për vete, por për të ndërmarrë veprime për të mirën e përbashkët dhe nuk zmbrapsen nga sfida e parë që ua cenon zgjedhshmërinë”, ka shkruar Kastrati në Facebook.

Ndryshe, MASHTI në prill të këtij viti mori vendim për organizim të përshpejtuar të mësimit për 441 nxënës në Kamenicë, të cilët për pothuajse dy vjet nuk janë pjesë e sistemit edukativo arsimor, për shkak të reformave arsimore.

Ministrja e Arsimit ka deklaruar se riorganizimi i shkollave me numër të vogël të nxënësve në Kamenicë duhet të bëhet dhe se si ministri do të punojnë ngushtë me të gjitha palët, ashtu që të jetë e mirë planifikuar dhe në interesin më të mirë të fëmijëve.

Postimi i plotë i kryetarit Qëndron Kastrati në Facebook:


Sot kur Komuna e Kamenicës po hapë një çerdhe shumë të nevojshme në një fshat të varfër për fëmijët 96% e të cilëve rrinë në shtëpi, Ministrja e Arsimit e cila zotim kryesor ka pasur hapjen e çerdheve, po e pengon atë.

Znj. ministre ndërpreje nxitjen e banorëve sepse me metodat e jashtëligjshme, nga kulla e të paprekshmes, porsi të ishte ministre e kohës së Ali Bungut po flet për mbyllje shkollash kur në fakt po hapet një çerdhe. Aq e informuar jeni. Aq kompetente jeni.

Nëse e zotëroni detyrën tuaj dhe po i përfillni siç pretendoni obligimet kushtetuese, ju ftoj t’i realizoni ato me mjete ligjore, jo t’i përforconi metodat e fisnore arkaike të funksionimit të shoqërisë të stilit “askush s’guxon të ju prekë”.

Kjo situatë është kryekëput situatë politike e përdorur në tri palë zgjedhje, ku ju dhe veglat e Vetëvendosjes, nxitës të linçimeve në komunitet, keni përdorur situatën për të arritur qëllimet politike. U keni premtuar banorëve që kjo reformë nuk do të realizohet, do të rrëzohet sapo të vini ju në pushtet. Dhe ku është kompetenca juaj për të ndalë reformën? Përse vazhdoni ta luani dashamirësen kur e keni obligimin të deklaroheni për demarkimin e kompetencave? Përse nuk vetëdijesoheni që kjo lojë juaja po dëmton fëmijët dhe prindërit e tyre të cilëve ua keni krijuar shpresat se ju mund t’i rregulloni problemet si me magji?

Ju shumë mirë e dini që për të kontribuar në trazimin e situatës nuk keni nevojë t’i merrni për dore banorët dhe t’i dërgoni në përballje me institucionet lokale, por mjafton të shkruani këso statuse dykuptimëshe ku në nëntekst ftohet për rezistencë.

Tash e 20 vjet shkollimi u është dhënë fëmijëve. Edhe në Poliçkë e Sedllar. Por çfarë shkollimi është ai? Kjo është ajo që ju përfaqësoni! Kërkesën për të mirëmbajtur objekte ku fëmijët i shërbejnë sentimentit që një objekt po na sillka zhvillim, ndërkohë që s’ka përmbajtje. Ndërkohë që rezultatet e PISA-s e tregojnë të kundërtën. Ndërkohë që rradhët për të marrë vizën për në Gjermani janë pasqyrë e gjendjes sonë.

Një qeveri që është dorëzuar para Veriut të Mitrovicës duke ua paguar rrymën kripto-kriminelëve, sot e ka gjetë në një komunitet të vogël ta zhvillojë betejën e saj politike. Në këtë komunitet ku po ndodhë një reformë e mirëfilltë para të cilës ju vet jeni dorëzuar. Fatmirësisht jo të gjithë politikanët e shohin politikën si instrument për t’u fuqizuar për vete, por për të ndërmarrë veprime për të mirën e përbashkët dhe nuk zbrapsen nga sfida e parë që ua cenon zgjedhshmërinë.

Nëse e keni përnjëmend brengën, ju ftoj t’i ballafaqojmë arsyet, të dhënat, bindjet dhe bazën ligjore në një debat publik, e jo të fsheheni pas statuseve ku i shprehni dy-tri hamendësime dhe nxisni trazime në publik.

Lexo edhe

Video