Qasja e gabuar e Kurtit ndaj zhvillimeve rajonale dhe pasojat e saj

Qasja e gabuar e Kurtit ndaj zhvillimeve rajonale dhe pasojat e saj

Samiti “Open Balkan” që u mbajt para disa ditësh në Shkup i vuri në pah disa gjëra, të cilat i karakterizojnë politikat orientuese dhe i kanë përafruar në mes të tyre vendet si Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia, të cilat e zgjodhën rrugën e hapjes, si dhe të bashkëpunimit rajonal duke e përfshirë edhe heqjen e doganave, qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve në mes të këtyre shteteve. Ndërsa Kosova nën udhëheqjen e Kurtit, e zgjodhi rrugën e injorimit të kësaj nisme rajonale dhe të vetëizolimit, me moton: Çdo gjë fillon me ardhjen e LVV në pushtet dhe nëse nuk është iniciativë e  Albin Kurtit, nuk duhet të pranohet, pra të refuzohet blanco, duke refuzuar çdo gjë pa marrë parasysh nëse kjo ia bllokon të ardhmen Kosovës dhe e vështirëson pozitën e shqiptarëve në përgjithësi.

  Për të nxjerrë përfundime, së pari duhet që të dihen shkaqet se pse gjendemi në një gjendje të tillë, në të cilën gjendet rajoni, të ndarë dhe të përçarë në disa shtete të ndryshme.

 Duke u nisur nga fakti se shtetet si Bosna e Hercegovina e Maqedonia e Veriut janë shtete artificiale dhe janë krijesa të politikës serbomadhe që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, kur u formuan në mënyrë artificiale këto republika (shtete), me qëllim të ndarjes së trojeve shqiptare, ato që kishin ngelur jashtë kufijve shtetëror të Shqipërisë londineze, i ndanë në disa republika jugosllave, për të arritur zvoglimin e numrit të popullatës shqiptare, për t’i sunduar më lehtë, me qëllim asimilimin e tyre. Por pasi u bë ndarja e shqiptarëve në disa republika, u duk se Kosova prapë ngeli në një numër të madh me popullsi shqiptare, prandaj u morën masat nga ish Jugosllavija që atë ta zvogëlonin edhe më shumë, duke ua marrë Luginën e Preshevës, Medvegjën e Bujanovcin, të cilat i futën nën Serbi, kurse në Kosovë i futën Leposaviqin, Zubin Potokun dhe Leshakun (me popullsi serbe) për të zvogëluar sa më shumë numrin e banorëve shqiptarë. Kështu u krijua një pozicion i favorshëm për popullin serb, pasi ata ndodheshin të gjithë në një shtet-ish Jugosllavinë, e cila u krijua nga gjashtë republika dhe dy krahina. Mirëpo luftërat e fundit të cilat ndodhën në ish Jugosllavi, jo vetëm që sollën shkatërrimin e saj, por ato patën pasoja të mëdha në njerëz dhe prona, lëvizje të mëdha të refugjatëve të rrezikuar nga lufta, etj. Me shkatërrimin e ish Jugosllavisë pjesë e madhe e popullatës serbe që kishin jetuar në Kroaci, Bosnjë, në Mal të Zi, në Maqedoni, në Kosovë, etj ngelën jashtë juridiksionit serb, ose më mirë me thënë jashtë kufijve të Serbisë së tashme. Ndërsa Kosova u çlirua me luftë nga UÇK dhe aleatët e NATO s, nga okupimi shekullor serb dhe më vonë e shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008.

 Edhe pse luftërat në Balkan kanë përfunduar para 20 vitesh, rajoni gjendet ende nën tension, pasi serbët të cilët kanë mbetur jashtë teritorit të Serbisë aspirojnë për t’u ribashkuar me shtetin amë-Serbinë, kurse shqiptarët që kanë ngelur jashtë kufijve të Shqipërisë, aspirojnë që të bashkohen me shtetin amë-Shqipërinë. Këto janë probleme me të cilat po ballafaqohet rajoni dhe të cilat duan zgjidhje adekuate. Deri sot në tavolinë kanë dalë dy zgjidhje të mundëshme, të cilat mund t’i përmbushin kërkesat e serbëve dhe të shqiptarëve, si dy popuj kryesorë në Balkan për t’i realizuar interesat e tyre nacionale, ekonomike dhe kulturore:

1 Që të bëhet ridefinimi i kufijve në vija etnike, për të krijuar Serbinë etnike, duhet të ndahen republikat e Bosnjës dhe e Maqedonisë, të cilat u krijuan në mënyrë artificiale në kohën e RSFJ së, pasi nuk ekziston komb myslyman e as komb maqedon, (sepse muslimanët e Bosnjës janë Ilirë të asimiluar, kurse maqedonët e Maqedonisë janë pakicë bullgare, si dhe një pjesë e shqiptarëve ortodoksë të asimiluar) dhe pakicat serbe që janë jashtë juridiksionit serb t’i bashkohen shtetit amë-Serbisë. Kurse pakicat shqiptare të cilat jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, t’i bashkohen shtetit amë-Shqipërisë.

2 Mundësia e dytë është që me një marrëveshje ndërkombëtare të përkrahet iniciativa e tre liderëve të Ballkanit Rama-Vuçiç-Zaev për një Ballkan të Hapur, ku do të hiqeshin të gjitha pengesat kufitare për qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve në gjithë rajonin e Ballkanit, ku do të funksiononin ligje përafërsisht të njejta, pranimi i ndërsjellë i dokumentave dhe nënshkrimi i një sërë marrëveshjeve infrastrukturore, të cilat i lidhin shtetet e Ballkanit Perëndimor, e ku përfshihen edhe nënshkrimi i marrëveshjeve mes Kosovës e Serbisë, përmes të cilave Kosova do të kishte përfitime të mëdha ekonomike e kulturore pasi do të integrohej brenda përbrenda kombit pa pasur pengesa për këtë, si dhe duke qenë vend tranzit për Serbinë drejt Shqipërisë dhe benefite të tjera të rëndësishme. Kjo do t’i jepte mundësinë Kosovës që të bëhet faktor i barabartë me të gjitha shtetet e rajonit dhe me pranimin e marrëveshjeve të Open Ballkan, Kosova do të pranohej si e pavarur dhe më vonë me kalimin e kohës do të pranohej edhe formalisht nga Serbia.

Mundësia e parë, pra lëvizja e kufijve dhe ndarja e tyre në vija etnike, është një lojë mjaft e rrezikshme për rajonin, pasi i shton apetitet e popujve më të fortë për luftëra të reja, për të okupuar sa më tepër territor dhe i shton rreziqet për një luftë gjithpërfshirëse në Ballkan, gjë që do ta destabilizonte Rajonin.

 Këto janë probleme të cilat duhet që të zgjidhen në mënyrë të kujdesëshme, e cila e kërkon vëmendjen e të gjithë bashkësisë ndërkombëtare, me theks të veçantë SHBA ve dhe BE së, pasi dy popujt më të fuqishëm të Ballkanit Perëndimor serbët dhe shqiptarët kanë ngelur të ndarë në disa shtete dhe kjo kërkon zgjidhje, e cila nuk do të shkaktonte tronditje dhe tensione të luftës, në atë mënyrë që vendet e tjera të Botës siç janë SHBA të dhe BE, i kanë zgjidhur problemet e tilla me kombet dhe pakicat e tyre të mbetura jashtë kufijve të shteteve të tyre.

 Në të kaluarën popujt e Botës, sidomos ata të Amerikës dhe të Europës kanë pasur probleme të tilla, ku pas luftërave të gjata që i kanë bërë mes vete, pakica të tyre kanë ngelur jashtë kufijve të shteteve amë. Mirëpo shtrohet pyetja: Si i kanë zgjidhur ata këto probleme? E marrim shembull SHBA të, të cilat i kanë rreth 52 shtete, ku fliten më shumë se 200 gjuhë të ndryshme, janë të rregulluara në atë mënyrë duke e krijuar një bashkësi të shteteve, të cilat nuk kanë pengesa doganore në mes shteteve, e as probleme të tjera kufizuese, të cilat i kanë aktualisht vendet e izoluara siç janë vendet e Balkanit Perëndimor. Poashtu Bashkësia Europiane, të cilën e përbëjnë dhjetra shtete dhe fliten qindra gjuhë të ndryshme, kanë bërë zgjidhje të atillë që nuk kanë pengesa doganore dhe as nuk i kanë ndarë kufijt në vija etnike, por me heqjen e doganave dhe bashkimin e shteteve të tyre, e kanë krijuar një ambient, ku të gjithë ndihen të sigurt dhe janë të barabartë. Edhe ato i kanë pakicat e tyre jashtë shteteve amë, të cilat kanë pasur probleme të ngjashme me ato të tonat që i kemi tani për momentin. Mirëpo ato e kanë zgjidhur këtë problem në mënyrën më të mirë të mundëshme, duke u bashkuar në konfederata e unione, i kanë hequr të gjitha pengesat doganore për qarkullim të lirë të njerëzve dhe të mallrave dhe njerëzit ndihen të lirë që të punojnë dhe jetojnë atje ku e ndiejnë veten më mirë dhe më të sigurt. Pra kjo i ndihmon pakicat që të integrohen sa më lirshëm në vendet e tyre dhe të jenë të lidhur në mënyrë kulturore dhe ekonomike me shtetet e tyre amë. Kjo është mënyra e cila deri tani është treguar si më e mirë dhe më e suksesëshme për zgjidhjen e këtyre problemeve me pakicat kombëtare dhe të bashkëpunimit ndërmjet popujve.

  Shtrohet pyetja: Nëse shtetet e tjera kanë bërë zgjidhje të duhura dhe të përshtatëshme, a duhet që edhe ne të bëjmë të njejtën gjë? Mendoj se përgjigjëja është PO, mundemi edhe ne të ndjekim shembullin e atyre që përpara nesh i kanë zgjidhë këto probleme në mënyrë të suksesëshme, duke arritur jo vetëm stabilitet dhe mirëqenie për popujt e tyre, por kanë arritur që të bashkuar të bëhen superfuqi botërore. Por cilat janë pengesat të cilat dalin me rastin e kësaj nisme, të cilët e kanë filluar liderët e shteteve më të fuqishme të Ballkanit perëndimor Rama-Vuçiç-Zaev, e që konsiderohet se është si vazhdim i procesit të Berlinit, i nënshkrimit të marrëveshjes në Washington, si dhe një sërë takimesh të zhvilluara në mes të këtyre vendeve të Ballkanit perëndimor, etj.

  Po të ketë mundësi që të pyeten popujt me një pyetje të thjeshtë:
– A keni dëshirë që të mos ketë dogana dhe pengesa doganore me shtetet fqinje, mos të paguani doganë për artikujt që importohen në vend, të mos ndaloheni dhe të mos prisni nëpër kufij me orë të tëra, të keni liri të udhëtoni pa viza dhe pa ndalesa ku të doni dhe si të doni, t’i paguani më lirë mallrat që i konsumoni për afro 30 %, të mos shohim kamionë me mallra e autobusë me udhëtarë që presin me orë, apo edhe ditë të tëra nëpër kufij etj? Me siguri se të gjithë njerëzit normal do ta dëshironim një gjë të tillë, sepse ua lehtëson jetën qytetarëve dhe ua rrit mirëqenjen e tyre, si dhe i bën të gjithë qytetarët e të gjithë popujve të barabartë në mes të tyre. I integron popujt brenda për brenda kombit të vet, e ulë koston e jetesës së tyre, i largon tensionet e luftës dhe krijon ura miqësie në mes të popujve, si dhe është një parapregaditje e Ballkanit Perëndimor për t’u futur në BE, sepse Europa nuk është e interesuar që në gjirin e saj të ketë tensione të luftës, mosmarrëveshje, mos sundim të ligjit, infrastrukturë të dobët, korrupsion, nepotizëm etj.

Kush dhe pse janë kundërshtarët e kësaj nisme Ballkanike, e cila mëton që të bëjë rregullimin sa më të mirë për popujt e saj?

  Kundërshtarët kryesorë të kësaj nisme janë liderët populistë, të cilët i kanë krijuar monopolet e tyre nëpër dogana, kanë vënë njerëzit e tyre nëpër poste e borde me paga të shtrejta, e frikësojnë popullin me deklarata frikësuese, (sikur fëmijët kur i frikësojnë me gogolin) se ne jemi të rrezikuar nga Serbia dhe se kta liderë po na shpëtojnë neve prej saj (deklarata e Haradinajt se e ka shpëtuar Kosovën nga ndarja dhe e Kurtit se e ka shpëtuar Kosovën nga thikat) paraqesin gënjeshtrat më të mëdha që janë dëgjuar deri tani, sepse u vërtetua se nuk kishte pasur diçka të tillë për ndarje të Kosovës. Me këto deklarata populiste po mundoen që ta mbajnë nën kontroll dhe duke e zhvatur popullin, i cili po i paguan shtrejt kto fatura, sepse e kanë shëndërruar vendin në më të shtrejtin në rajon, ku rrogat janë më të voglat, kurse çmimet janë më të shtrejtat. Dallimi në mes të rrogave minimale dhe të atyre maximale është dhjetëra herë më i madh, ku pushtetarët marrin rroga e mëditje marramendëse në krahasim me rrogat minimale që i merr shtresa e ultë e popullit, si dhe shfrytëzojnë benefite nga më të shtrejtat, mbajnë nga disa vende të punës dhe i kanë punësuar të gjithë anëtarët e ngushtë të familjes. Me një administratë të tejmbushur, ku lulëzon nepotizmi e korrupsioni, si dhe informaliteti, ku pastrohen para të majme të pushtetarëve dhe kriminelëve të tjerë. Prodhimi është nën kuota minimale, kurse furnizimin kryesor Kosova e ka nga mallërat serbe, të cilat vijnë nga Serbia shpesh edhe të pa kontrolluara mirë, ku sipas të dhënave më të reja Kosova vetëm në tre muajt e fundit ka importuar mallra serbe në vlerë 95 milionë Euro, e që i bie për një vit rreth një miliardë euro. Shteti i Kosovës burim kryesor i ka të ardhurat nga doganat, të cilat e shëndërrojnë atë në shtet parazit, i cili mvaret nga remitencat që i dërgojnë bashkatëdhetarët tonë, e që kjo ia vështirëson jetën qytetarëve të Kosovës.


 Njerëzit me të drejtë e bëjnë pyetjen se cila do të ishte zgjidhja e këtyre problemeve kaq të mëdha të cilat na rrethojnë neve? A duhet Kosova që t’i ndjekë nismat rajonale, apo të vetëizolohet e të mbetet si zorrë qorre e rajonit? Dhe a ka ndonjë alternativë tjetër që t’i ikë këtij vetëizolimi që po e kanos popullin e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi? Cilat janë të mirat dhe cilat janë të këqijat e kësaj nisme rajonale që tashmë është ndërmarrë dhe ngadalë po fuqizohet me bekimin e SHBA ve dhe të Bashkimit Europian?

 Kjo nismë rajonale “Open Balkan” i ka të mirat dhe prioritetet e veta, pasi siç e cekëm më lartë me këtë marrëveshje do të hiqen të gjitha pengesat doganore për qarkullim të lirë të mallrave dhe të njerëzve, kusht ky me të cilin do të zgjidheshin shumë probleme të natyrave të ndryshme, si prsh.

1 Do të përbënte bazën kryesore për investime të huaja, pasi ata janë të interesuar që të investojnë tek një klientelë multimilionëshe (në gjithë Balkanin), ku ka infrastrukturë adekuate ligjore, ku nuk ka pengesa doganore dhe ka lidhje të përshtatshme infrastrukturore, si dhe mundësi të mira energjetike që i plotëson kërkesat dhe standardet e investitorëve të huaj, si dhe atyre vendorë që veprojnë në diasporë.

2 Do të bëhej një integrim i pakicave rreth shteteve të tyre amë, e në këtë rast shqiptarët do të kishin përfitime më të mëdha, pasi me heqjen e pengesave doganore, do t’u jepej mundësia që të integrohen brenda kombit të vet, duke u pavarësuar nga importi i mallrave serbe, duke u lidhur në mënyrë ekonomike dhe kulturore me shtetin amë Shqipërinë, si dhe me shqiptarët e tjerë në rajon. Nga kjo nismë shqiptarët do të përfitonin më së shumti, për shkak të pozitës strategjike, pasurive, siç janë bregdeti, minierat, lumejtë, bjeshkët, rrugët, hekurudhat, etj. e me theks të veçantë do të fitojë Kosova, pasi është vend tranzit në mes të Serbisë e Shqipërisë dhe kjo do ta bënte që ajo të ketë përfitime dhe benefite të veçanta.

3 Me heqjen e doganave do të eliminohej një poblem shumë i madh, të cilin e kanë bashkatëdhetarët tanë në mërgim, pasi ata me lëvizjen e tyre drejt vendlindjes, hasin në pengesa të mëdha nëpër kufij duke pritur me orë të tëra për të kaluar dhjetëra kufij, derisa arrijnë në vendin tonë. Kjo shkakton nervozë dhe humbje të kohës së tyre të shtrejtë, pasi ata e kanë të limituar pushimin e tyre.

4 Do të bëhej bazë e mirë për liberalizim të vizave, si dhe pranimin më të shpejtë në Europë, pasi kjo do të ishte referencë e mirë se në rajon nuk ka tensione të luftës dhe Europa nuk do të ketë më arësye për të vënë viza kundër shqiptarëve të Kosovës, si dhe mundësia për ato shtete anëtare të BE që nuk na kanë pranuar deri më tash, ta bëjnë këtë, sepse nuk do të ketë më arësye për pengesa të tjera.

5 Kjo do të ishte një  tregues se ka vullnet për pregaditjen e rajonit për të hyrë në Bashkimin Europian, pasi ata duan që të kenë siguri se në rajon nuk ka tensione të luftës. Nuk ka nepotizëm dhe korrupsion dhe ka zhvillime pozitive, kritere këto të cilat i kërkon Bashkimi Europian,etj.

6 Me heqjen e doganave,  do t’i kthehemi prodhimit vendor, që të zvogëlohet importi nga Serbia dhe të rritet exporti, kurse shteti nga një shtet parazit që është tani, sepse jeton nga doganat, do të bëhej një shtet normal, i cili do të jetonte nga puna konkrete, pra nga tatimi në prodhim e shërbime.

 Por shtrohet pyetja: Pse po kundërshtohet nga Kurti kjo nismë rajonale, e cila i zgjidh shumë probleme të rajonit, duke vënë paqe, qetësi dhe prosperitet në rajon?

 Ekzistojnë disa arësye se pse kjo nismë po kundërshtohet kaq fuqishëm:

 E para,  këtyre u intereson që të bëjnë sa më shumë propaganda populiste, patriotizëm të rrejshëm për të përfituar vota, në mënyrë që ta mbajnë sa më të sigurt sundimin e tyre, me arësyetimin se Serbia nuk po na pranon shtetin e Kosovës, nuk janë gjetur të zhdukurit, nuk po kërkon falje dhe nuk po pranon që t’i bëjë reparacionet e luftës. Në kushte normale këto do të ishin kërkesa të drejta, të cilat do t’i drejtoheshin Serbisë. Por shtrohet pyetja se a kemi ne mekanizma vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët do ta detyronin Serbinë që të na pranojë neve si shtet të pavarur dhe të na i paguaj dëmet e luftës? Përgjigjeja është JO, sepse kjo ende nuk po ndodh dhe nuk po shihet vullnet i Bashkësisë ndërkombëtare për ta detyruar Serbinë në këto pika. Pra përderisa Serbia është anëtare e të gjitha organizmave ndërkombëtare, shtet i pranuar në të gjithë Botën, me një ekonomi të fuqishme prodhuese, furnizuesi kryesor i mallrave në Kosovë, etj. është superiore ndaj Kosovës, e cila nuk është e pranuar në organizmat ndërkombëtare, e ka një ekonomi të brishtë, e cila mvaret nga doganat, e ka zgjedhë rrugën e Status Quos, të vetëizolimit dhe të stagnimit ekonomik dhe kulturor, rrugë kjo e cila po e mbyt Kosovën në mënyrë kanceroze. Pra Serbia ndjehet shumë komode karshi Kosovës dhe duke i shfrytëzuar populizmat e Kurtit e të të tjerëve, nuk po i ngutet as për bisedime me Kosovën,  sepse para faktorit ndërkombëtar po e paraqet veten si viktimë, kurse liderët tonë si njerëz me të cilët nuk mund të meresh vesh. Por mundësia e vetme është që të vazhdohet me bisedime, në mënyrë që problemet me të pagjeturit dhe reparacionet e luftës mund të adresohen te organizmat ndërkombëtarë, siç janë gjykatat ndërkombëtare, etj. A e ka bërë ndokush një gjë të tillë? Ende jo.

  Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, për shkak të problemeve të mbrendshme të Serbisë, nuk është patjetër që ajo në këtë fazë ta pranoj Kosovën shtet të pavarur, por është me rëndësi që ajo t’i pranojë marrëveshjet, të cilat lidhen në kuadër të marrëdhënjeve rajonale me Serbinë dhe shtetet fqinje, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, kështuqë duke e pranuar Kosovën partner të nënshkrimit të marrëveshjeve rajonale, de facto në njëfarë mënyre pranohet shteti i Saj dhe Kosova e zë vendin e vet të merituar.

 Deklarata e zyrtarit të lartë gjerman se ftesa për Kosovën është ende aktuale për Kosovën, jep të kuptojmë se Open Balkan po përkrahet fuqishëm nga SHBA të dhe BE dhe është momenti i fundit që Kosova t’i bashkohet kësaj nisme rajonale, në mënyrë që t’i kapë hapat me të tjerët, që të arrijë të largohet nga importi i mallrave serbe, si dhe ndikimi serb në Kosovë, të drejtohet kah bashkëpunimi më intenziv me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, ku janë troje të banuara me shqiptarë, si dhe të ketë fqinjësi të mirë me të gjithë, e të mos mbetet mbrapa si zorrë qorre në rajon. Në të kundërtën atë e pret një izolim total, kurse popullin e Kosovës e presin sfida dhe vështirësi më të mëdha, për shkak të gabimeve të këtyre liderëve, të cilët nuk e kanë problem mirëqenjen e popullit, por se si të fitojnë vota dhe të rrijnë sa më gjatë në pushtet për ta zhvatur atë, derisa njerëzit të vetëdijësohen dhe të distancohen nga liderë të tillë populistë, të cilët me veprimet e tyre të dëmshme, po ia shkatërrojnë të ardhmen e këtij populli.

Autori është Mr. Sc. Juridike drejtimi Administrativ-kushtetues, si dhe shkrimtar romansier

Lexo edhe

Video