Putin në Teheran për bisedime me udhëheqësit e Iranit dhe Turqisë

Putin në Teheran për bisedime me udhëheqësit e Iranit dhe Turqisë

Vizita e presidentit rus Vladimir Putin në Iran, synon të thellojë lidhjet me dy fuqitë rajonale si pjesë e sfidës së Moskës ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, në mes të fushatës së saj të ashpër në Ukrainë.

Në udhëtimin e tij të dytë jashtë vendit që kur tanket ruse u futën në Ukrainën fqinje në muajin shkurt, presidenti Putin do të bisedojë me presidentin e Iranit Ebrahim Raisi dhe presidentin turk Recep Tayyip Erdogan rreth çështjeve të ngutshme me të cilat përballet rajoni, përfshirë konfliktin në Siri dhe propozimin e mbështetur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për rifillimin e eksporteve të grurit ukrainas për të lehtësuar krizën globale të ushqimit.

Ndërsa perëndimi po shton sanksionet ndaj Rusisë dhe fushata e saj e kushtueshme në Ukrainë po zvarritet, presidenti Putin synon të forcojë lidhjet me Teheranin, një shënjestër tjetër e sanksioneve të ashpra amerikane dhe një partner i mundshëm ushtarak dhe tregtar. Shtëpia e Bardhë pretendon se në javët e fundit, zyrtarët rusë vizituan një aeroport në Iranin qendror të paktën dy herë për të parë dronët e Teheranit dhe përdorimin e mundshëm të tyre në Ukrainë.


Por, mbase më e rëndësishmja, Teherani i ofron presidentit Putin mundësinë për një takim me presidentin Erdogan, i cili është ofruar të ndihmojë ndërmjetësimin e bisedimeve për një zgjidhje paqësore të konfliktit Rusi-Ukrainë, si dhe të ndihmojë negociatat për të zhbllokuar eksportet e grurit ukrainas përmes Detit të Zi.

Turqia, një anëtare e NATO-s, është gjetur përballë Rusisë në konflikte të përgjakshme në Azerbajxhan, Libi dhe Siri. Por Turqia nuk ka vendosur sanksione ndaj Kremlinit, duke e bërë atë një partner shumë të nevojshëm për Moskën. Duke u përballur me inflacionin e lartë dhe një monedhë që zhvlerësohet me shpejtësi, Turqia gjithashtu mbështetet në tregun rus.

Takimi ka kuptim simbolik edhe për opinionin e brendshëm të presidentit Putin, për të treguar ndikimin ndërkombëtar të Rusisë ndërsa ajo izolohet gjithnjë e më shumë dhe zhytet më thellë në konfrontim me Perëndimin. Takimi mbahet disa ditë pasi presidenti amerikan, Joe Biden vizitoi Izraelin dhe Arabinë Saudite, rivalët kryesorë të Teheranit në rajon./VOA/

Lexo edhe

Video