Punëtorët e Telekomit futen në grevë, përplasen me Tahirin i cili i quajti hajna

Punëtorët e Telekomit futen në grevë, përplasen me Tahirin i cili i quajti hajna

Punëtorët e Telekomit të Kosovës kanë hyrë në grevë pas protestës që kanë mbajtur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Përkundër qëndrimit për më shumë se dy orë, punëtorët nuk kanë marrë një përgjigje konkrete nga Qeveria se kur do të bëhet zhbllokimi i llogarive dhe kur do t’i marrin pagat e tyre, e kjo ka bërë që ata të hyjnë menjëherë në grevë.

Me protestuesit kanë biseduar zëvendëskryeministri i parë Besnik Tahiri dhe ministri i Ekonomisë dhe Ambientit Blerim Kuçi, ku ky i fundit tha se janë duke bërë përpjekje për arritjen e një marrëveshje për zgjidhjen e çështjes së Telekomit.

Ai nuk ka dhënë përgjigje se kur punëtorët do t’i marrin pagat dhe kur do të bëhet zhbllokimi i llogarive të Telekomit.

“Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale ta rregullojmë këtë çështje. Unë jam sot me zëvendëskryeministrin bashkë me juve dhe ejani bashkë me ne dhe të bisedojmë si ta rregullojmë, por një pjesë e juaja e dinë mirë që jemi në përfundim të rregullimit të këtij procesi. Nëse keni një këshill protestues, ejani bashkë me ne dhe do t’ua tregojmë se procesi është në përfundim të zgjidhjes së kësaj çështjeje. Normalisht ne kemi disa kërkesa në raport me Telekomin edhe ndaj bordit edhe ndaj menaxhmentit, ne do të jemi bashkë me juve dhe do të gjejmë mënyrën më të mirë për ta rregulluar. Ejani të bisedojmë, por nuk mund të jap afat kohor”, tha ai.

Pas kësaj, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës Lamih Balaj, tha se nuk do të shkojnë në takim. Ai duke iu drejtuar ministrit tha se mbi 100 antena të Telekomit sot janë ndal, për çka tha se për këtë arsye po kërkojnë zgjidhje prej Qeverisë së Kosovës.

Për këtë ai tha se punëtorët e Telekomit në Prishtinë do të hyjnë në grevë qysh sot, ndërsa regjionet nga nesër në orën 8:00.

“Ne nuk e kemi ndërmend. Ne mund të shpërndahemi prej këtu, po nga këtu do të hyjmë në grevë në objekte. Nuk e kemi ndërmend të themi se jemi para përfundimit, se jemi lodh më. A e dini ministër që në çdo moment ka me të ra rrjeti i telefonit? Mbi 100 antena sot janë ndalë dhe kur të ikin konsumatorët nuk kemi çka të dalim më këtu. Minimumi janë 200 mijë konsumatorë që s’po mund ta shfrytëzojnë 3G dhe 4G. Ne po kërkojmë zgjidhje, por nuk mund të pranojmë si punëtorë. Ne do të largohemi nga këtu, por Prishtina do të hyjë në grevë sonte, ndërsa regjionet do t’i marrin instruksionet që nesër në ora 8 hyjnë në grevë të përgjithshme. Nuk do të ndalen shërbimet. Ne jemi duke i mbajtur disa shërbime me mjete të tona. Unë si kryetar i Sindikatës nuk vij për negociata më, por përgjegjësia është e Qeverisë dhe e juaja… Prishtina komplet prej këtij momenti hyn në grevë në objekt kryesor. Krejt instruksionet keni me i marrë në objektin kryesor. Regjionet bashkë me kryetarët kthehen në bazë dhe nesër nga ora 8 hyjnë në grevë. Fjalë e llafe sot nesër dhe një Devoll të luajë me një shtet, ia pafshin hairin”, tha ai.

Përplasje ka pasur në mes punëtorëve të Telekomit të Kosovës dhe zëvendëskryeministrit Besnik Tahiri, i cili tha se ata që po e quajnë hajn, ‘janë më hajna se ai’.

“Blerimi ka arritur të përgatisë marrëveshjen. Ne duhet ta marrim këtë vendim në Qeveri më së largu nesër. Për ata që po thonë hajna, po ju them: Ju këqyri në sy, jemi më hajna se unë krejt, se unë jam njeriu më i ndershëm. Nuk jam hajn, jam njeri përfaqësues. Do ta bëjmë zgjidhjen që do ta bëjmë, nesër Qeveria duhet t’ia japë kësaj një zgjidhje”, tha ai.

Deklarata e Tahirit ka ngjallur reagimin e protestuesve, të cilët kanë kërkuar nga ai që të kërkojë falje.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit Lamih Balaj, tha se nuk janë hajna, po që ata janë vjedhur.

“Ne nuk jemi hajna, neve na kanë vjedh zëvendëskryeministër, na kanë vjedhë 500 milionë, i kanë marrë, kurrë nuk kanë marrë përgjegjësi, edhe sot na vjedhin, për çdo ditë na vjedhin. Gjendja është e rëndë, ne nga këtu do të hyjmë në grevë. Shpresoj, sonte e zgjidhni situatën. Sonte jemi të gatshëm me ec përpara, po prej muajit korrik që janë bllokuar xhirollogaritë e deri më sot… edhe një javë edhe dy javë”, tha ai.

Protestuesit nuk kanë lejuar që zëvendëskryeministri Besnik Tahiri të vazhdojë fjalimin pa kërkuar falje, gjë të cilën ai më pastaj e ka bërë.


Tahiri tha se qysh nesër do të dërgojë një kërkesë te kabineti qeveritar që të gjendet një zgjidhje për Telekomin.

“As unë nuk jam hajn, ata që më kanë thënë hajn, unë nuk jam hajn. Unë do ta dërgoj te Qeveria një email. Do ta dërgoj një email urgjent te kabineti për të arritur një zgjidhje për këtë temë. Ju kërkoj falje nëse dikush u ndie keq, a po ju them një, në qoftë se dikush u ndie keq, ju kërkoj falje, por unë nuk jam hajn e nuk lejoj të më thotë dikush hajn. Tash do ta dërgojmë një email te Qeveria, te kryeministri për shkak se tema është serioze, nuk jemi ne budalla, do ta adresojmë këtë punë dhe të kryhet në afatin më të shkurtë nesër kohor”, tha ai.

E kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për media tha se për disa ditë do të përmbyllet çështja e Telekomit.

“Jemi duke punuar, besoj që për disa ditë e përmbyllim edhe këtë çështje mjaft të ndjeshme. E di që mijëra punëtorë nuk kanë marr pagat e tetorit, por po punojmë shumë me ministrin Kuçi ta përmbyllim sa më shpejt. Jemi në rrugë të mbarë, kemi bërë progres në këtë drejtim. Besoj që në ditët e ardhshme  përmbyllet kjo çështje dhe do dalim para juve, para qytetarëve dhe punëtorëve të Telekomit  për ta  bërë të ditur sikurse te rasti i Trepçës  që e përmbyllëm javën që shkoi”, tha ai.

Punëtorët e Telekomit të Kosovës janë shprehur të mllefosur me gjendjen në të cilën ndodhet Telekomi i Kosovës, derisa kanë kërkuar që Qeveria të punojë që ata të marrin pagat e tyre.

Naim Qazimi, punëtor i Telekomit tha se asnjëherë nuk e kishte menduar se do të mbetej pa punë nga qeveria e vendit.

“Punoj prej vitit 1985 këtu. Herën e parë na kanë dëbuar policia, pushteti serb prej punës. Se vjen edhe kjo radhë të dëbohemi serish nga puna dhe të mbetemi pa paga tash prej qeveritarëve tanë, këtë nuk e kemi menduar. Pikërisht prej këtij vendi po humbet shpresa e qytetarëve, për këtë shkak po largohen rinia nëpër botë. Do t’i mallkojë gjaku i dëshmorëve, gjaku i fëmijëve tanë që kanë marrë dynjanë”, tha ai.

Ndërsa, punëtori tjetër, Shyqyri Musliu, tha se nuk po i intereson askujt që fëmijët e tyre kanë mbetur pa bukë.

“Hajde hyjmë brenda se këtu nuk mërzitet askush për ju as për familjet tona, që i kemi nëpër kredi, që na kanë mbetur fëmija pa bukë kurrkush nuk mërzitet, që i kemi anëtarët e familjeve të sëmurë dhe nuk mund t’i shërojmë për shkak të mungesës së rrogave”, tha ai.

I njëjti, i shoqëruar edhe nga punëtorë të tjerë të Telekomit janë nisur në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, të cilët janë ndalë nga kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit Lamih Balaj, i cili tha se nuk është qëllim i tyre konfrontimi me policinë e Kosovës.

Në përkrahje të punëtorëve kishte dalë edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Salih Zyba, i cili tha se kërkesat e punëtorëve janë të drejta.

“Jam njëri nga deputetët që i japim mbështetje kërkesave të punëtorëve, kështu që është edhe obligim po edhe është mundësi e mirë e jona për të kontribuar për problemet, të cilat duhet zgjidhur nga institucionet e Kosovës… Sigurisht që kërkesat e tyre janë serioze meqenëse bashkëpunimi me sindikatat ka qenë i kahershëm, kështu që kjo është një na protestat e radhës, po me gjasë nuk do të jetë e fundi, sepse nuk parashihet shpejt kjo qeverisje me i dhënë zgjidhje problemeve të tyre. Kërkesa ka qenë e drejtë, e mirëpresim si iniciativë nga vetë punëtorët për të pasur arsye për të shtyrë përpara zgjidhjen e problemeve”, tha ai.

Punëtorët e Telekomit të Kosovës kanë protestuar sot për gjendjen e krijuar në këtë ndërmarrje, ku punëtorët ende nuk kanë marrë pagat për muajin tetor dhe llogaritë e Telekomit vazhdojnë të jenë të bllokuara si pasojë e borxhit nga kompanisë Z-Mobile.

Kërkesat e tyre kanë qenë që Qeveria e vendit të zhbllokojë llogaritë e Telekomit dhe punëtorët të marrin pagat e tyre.

Lexo edhe

Video

error: