Punëtorët e Lotarisë së Kosovës sërish në protestë, qeveria nuk i pranon as në takim

Mosmiratimi i Ligjit për Lotarinë e Kosovës dhe mosmarrja e pagave për më shumë se dy vite, kanë bërë që punëtorët e Lotarisë së Kosovës të protestojnë sërish para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës që për më shumë se 30 muaj kanë mbetur pa punë, kanë paralajmëruar se nuk do të heqin dorë nga protestat derisa të përmbushen kërkesat e tyre.

Miran Ademi, përfaqësues i Lotarisë së Kosovës nga Mitrovica, tha se nuk ka asnjë arsye që qeveria po e vonon miratimin e ligjit, derisa tha se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre.

“Derisa të miratohet ligji të shkojë prej qeverisë në Kuvend të miratohet ligjit për Lotarinë e Kosovës. Çdo rajon i ka lotaritë e veta, veç ne nuk funksionojmë, plus jemi të pranuar në lojërat e fatit të Lotarive Evropiane, do të thotë jemi të certifikuar…Duhet me marrë edhe masa të tjera ose me hy në grevë ose diçka duhet me bë. Unë punoj që 36 vite në Lotarinë e Kosovës, do të thotë pa kurrfarë arsye na kanë larguar. Qeveria e ka dërguar bordin e vet prej 5 anëtarëve për mbikëqyrjen e punës së Lotarisë së Kosovës asnjë vërejtje nuk kemi pasur kurrë”, tha ai.

Ai tha se kërkesat e tyre po injorohen nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe që të njëjtit nuk po i pranojnë as në takime.


Ademi tha se tashmë qytetarët e Kosovës po luajnë në pjesën veriore të Mitrovicës dhe se mijëra euro po derdhën në Lotarinë e Serbisë.

“Shumica e lojtarëve që luajnë kanë filluar të luajnë në pjesën veriore të Mitrovicës, i bindur jam prej 15 deri 23 mijë euro derdhen në Lotari të Serbisë prej Kosovës. Qysh ata mund të funksionojnë në Mitrovicë e ne nuk mundemi kur dihet që Mitrovica është pjesë e Kosovës”, tha ai.

Kritika për mosmiratim të Ligjit për Lotarinë e Kosovës ka pasur edhe Shkelzen Morina nga Gjakova, i cili ka punuar për 38 vite në Lotarinë e Kosovës.

“Kam një pyetje për kryeministrin dhe qeverinë tonë, a thua a mendojnë ata a jemi ne popull i Kosovës, a jemi jashtë Kosovës ose të marsit, kah kemi ardhë. I bëjë apel që sa më shpejt le ta procedojnë ligjin se përndryshe familjet tona janë ekstremisht keq materialisht. Qysh po dinë kryeministri me i rrit pensionet, po i rrit pagat e punëtorëve e neve nuk po na kthen në punë. Që sa muaj jemi duke protestuar as nuk na pranojnë me bisedu kjo qeveri. Qeveritë e mëparshme kur kemi protestuar kanë ardhë kanë biseduar me ne, këta as nuk lodhen, pesë para nuk i japin për ne, thuajse nuk jemi ne të këtij vendi”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës në prill të vitit 2019, ka miratuar ligjin për ndalimin e lojërave të fatit, e që nga ajo kohë Lotaria e Kosovës ka ndërprerë veprimtarinë e saj.

Lexo edhe

Video