Punë e pakët kërkimore në universitetet e Kosovës

Punë e pakët kërkimore në universitetet e Kosovës

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, në bashkëpunim me Zyrën e BE-së, sot ka bërë lansimin e projektit strukturor “Ngritja e kulturës kërkimore në arsimin e lartë në Kosovë”, në të cilin u bë vlerësimi i gjendjes aktuale të kapaciteteve kërkimore në sektorin e arsimit të lartë në Kosovë.

Në bazë të vlerësimeve thuhet se në universitetet e Kosovës është e nevojshme të futet puna kërkimore dhe hulumtimet, pasi janë të pakta, por që tash e tutje pritet të shtohen me ndihmën e këtij projekti.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, deklaroi se gjendja në arsim është jo e mirë andaj ka nevojë për përmirësime dhe ngritjen të cilësisë.

Bajrami potencoi se do të ketë rritje të buxhetit për reformat në arsim dhe se qeveria e re do të punojë shumë në këtë drejtim.

Bajrami theksoi se, Kosova pritet ta avancojë statusin në vend të asocuar në programin e ardhshëm në BE “Horaisen 2020”.

Hillen Francke  nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se Kosova është mbrapa lidhur me sistemet kërkimore jo vetëm në BE, por edhe në rajon, andaj ajo apeloi për përkushtim të lartë në këtë projekt.


Francke theksoi se nëse Kosova bën progres në arsim do të ketë mundësi të bëhet edhe anëtare e programit ndërkombëtar.

Jehona Lushaku, nga Erasmus+ zyra në Kosovë, tha se ky projekt do të ndihmojë në përmirësimin e arsimit të lartë në gjithë Kosovën, sipas saj hulumtimet dhe aspekti kërkimor janë ndër sfidat më të mëdha të arsimit në Kosovë, andaj apelon që të punohet me përkushtim në këtë projekt.

Sipas Lushtakut, ky projekt do t’i ofrojë mundësi të mëdha arsimit në Kosovë.

Udhëheqësja e projektit, Mihone Kerolli-Mustafa, tha se më këtë projekt synojnë të fuqizojnë kapacitetet e hulumtimeve në Kosovë, e krejt kjo sipas saj për shkak se rezultatet që kanë bërë më herët, tregojnë që Kosova është pak mbrapa në këtë aspekt.

Këtë projekt e përkrahen edhe shumë dekanë dhe përfaqësues të arsimit, të cilët thanë se do të jetë një ndihmesë në hulumtimet dhe kërkimet shkencore në universitetet e Kosovës.

Ndryshe ky projekt  ka për qëllim  të mbështesë ngritjen e kulturës së kërkimit në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, si dhe zhvillimin e politikave dhe praktikave të mira, krijimin dhe instalimin e rregulloreve, strukturave dhe mekanizmave të rinj në institucionet përfituese në Kosovë.

Lexo edhe

error: