Publiku kërkon lajmet e vërteta dhe i gjen te Agjencitë e Lajmeve

Agjencitë e lajmeve nga 12 shtete të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur sot në Prishtinë, nën organizimin e Agjencisë së Lajmeve KosovaPress për të diskutuar për pandeminë COVID-19 dhe ndikimin e tij në media.

Në punimet e Kuvendit të 29 të Asamblesë së Përgjithshme të Aleancës së Agjencive Ballkanike (ABNA), u theksua nevoja për lajmet e vërteta. Të njëjtat, sidomos në kohën e krizës si pandemia, u tha se janë dëshmuar në Agjencitë e lajmeve. Ndërkohë, u kërkua ndihmë më e madhe e institucioneve karshi tyre.

Në panelin ku u diskutua për sfidat aktuale të Agjencive të lajmeve, presidentja e ABNA-së, Armela Krasniqi, duke folur për nevojën e këtij organizimi, tha se në kohën e krizave është dëshmuar se publiku iu beson më shumë agjencive të lajmeve, pasi çdo lajm është i konfirmuar dhe verifikuar.

“Gjatë pandemisë kemi parë se bashkëpunimi i kësaj organizate ka qenë shumë më i fortë, i kemi ndarë lajmet për pandeminë. Ndërsa në anën tjetër është dashur ta mirëmbajmë këtë miqësi…. Kjo është thelbi i ABNA-se, pasi ne përfaqësojmë edhe kulturat tona, historinë tonë, edukimin dhe shtetin tonë në mënyra të veçanta. Prandaj, kjo është vërtet e rëndësishme për një organizim të tillë. Në pandemi ne kemi parë se kemi pasur kërkesë të madhe të kemi një burim të besueshëm, përkundër dezinformatave dhe konsipracioneve. Për neve ka qenë sfidë si të përballemi me këto dezinformata….Agjencitë e lajmeve janë karakterizuar si tradicionale, por pandemia na ka treguar se ne nuk jemi të vjetër, por publiku gjatë krizave beson në atë që themi ne, sepse atë që themi është e konfirmuar dhe e besueshme”, tha ajo.

Nevojën për agjenci të lajmeve e ngriti në pah, sekretari gjeneral i Aleancës Evropiane të Agjencive të Lajmeve, Alexandru Ion Gibqi, i cili tha se të njëjtat kanë dalur në skenë edhe më shumë në kohën e pandemisë COVID 19.

“Pandemia i ka sjellë mundësi të mëdha dhe i ka shtyrë Agjencitë e lajmeve nga pjesa ku kanë qëndruar prapa perdeve, përpara në skenë. Janë rritur, kjo nuk i ka sjellë vetëm aspektin financiar, por edhe reputacionin. Kjo është e rëndësishme, ndonjëherë më shumë se e parave, pasi besimi është i rëndësishme. Agjencitë e lajmeve e sjellin bazën e demokracisë”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Agjencisë se lajmeve BTA në Bullgari, Kiril Valchev, tha se tani është koha e duhur që të ndihmohet lajmi i vërtet dhe i saktë, rrjedhimisht të ndihmohen agjencitë të lajmeve.

“Agjencitë e lajmeve nuk janë fabrika, nuk është e ndaluar të ndihmohen nga buxheti i shtetit. Tani është koha e duhur që të ndihmohet lajmi i vërtetë, lajmi i duhur dhe saktë që të ndihmohet agjencitë e lajmeve”, shtoi Valchev.


Nevojën e këtij organizimi e theksoi drejtori i Agjencisë së lajmeve PAP në Poloni, Wojciech Surmacz, i cili tha se vetëm duke transmetuar informacionet ngritët cilësia në këtë fushë.

“Jemi duke transmetuar informacion përmes njëri-tjetrit. Është më pak formale sepse është mes nesh, por ne jemi njerëzit që e ngrisim këtë zë. Njerëzit duhet të kenë informata në këtë fushë”, tha ai.

E nikoqirja e këtij organizimi, drejtoresha ekzekutive e Agjencisë së Lajmeve KosovaPress, Suzana Rakovica tregoi për vështirësitë që ka hasur KosovaPress në fillimet e pandemisë COVID-19.

Derisa tha se KosovaPress me gjitha mundësitë do të luftojë lajmet e rrejshme, pasi besimi në lajmet e vërteta për KosovaPress është i madh.

“Mënyrat e vetme kanë qenë fitimi i projekteve, po fatmirësisht kemi prodhuar videostorje për kohën e COVID-it. Kanë qenë tema për COVID, si kalojmë infermieret, policët, gazetarët por edhe shumë sektorë të tjerë. Përveç kësaj, ne kemi pasur edhe projekte të mëdha dhe KosovaPress brenda 3 muajve ka arrit të tejkalojë problemet. Duke pas parasysh se ne jemi privat, është dashur të punojmë dyfish më shumë se në kohën tjetër…KosovPress me gjitha mundësitë dhe forcat e saj do të jetë ai që ka qenë. Ne kemi besimin shumë të madh në lajme dhe klientët që na besojmë. Do të luftojmë që edhe qytetarët ta besojnë dhe anashkalojnë lajmet e rrejshme në rrjete sociale”, tha drejtoresha e KosovaPress-it, Suzana Rakovica.

Vlerësime të larta për Agjencinë e lajmeve KosovaPress shprehu edhe presidentja e ABNA-se, Armela Krasniqi, e cila tha se shpreson që shumë shpejtë KosovaPress të jetë pjesë e Agjencive të Lajmeve të Evropës.

“Cilësia e lajmeve, video lajmeve është rritur, kështu që mund të themi që kemi cilësi. Koha e pandemisë ka transformuar KosovaPress në një agjenci të besueshme lajmesh dhe qasje të gjerë me publikun…Shumë shtete se njohin Kosovën, por gazetarët e njohin Kosovën mirë dhe do të votojnë për ta pasur KosovaPress-in si anëtare të EANA-së”, tha ajo.

Kuvendi i 29 i Asamblesë së Përgjithshme të Aleancës së Agjencive Ballkanike (ABNA) po vazhdon punimet edhe me panelet tjera.

Kuvendi dhe konferenca e 29-të e përgjithshme e ABNA-së mbështetet nga Friedrich Ebert Stiftung dhe Sëiss Agency for Development and Cooperation SDC.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.