Publikohet raporti për çështjen e ligjshmërisë së operimit të hidrocentraleve në Kosovë

Publikohet raporti për çështjen e ligjshmërisë së operimit të hidrocentraleve në Kosovë

Avokatit i Popullit, ka publikuar sot raportin me rekomandime lidhur me çështjen e ligjshmërisë së procedurave të operimit të hidrocentraleve në vend dhe qasjes në dokumente përkitazi me hidrocentralet.

Në  raport ndër të tjera thuhet se nga analiza e teërsishme Avokati i Popullit ka vërejtur se procesi lidhur me hidrocentralet në vend është përjellë me mangësi të vazhdueshme sa i përket aspektit procedural tredimensional, qasjes në informata, pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje dhe qasjes në drejtësi.

Komunikata e plotë:

Avokatit i Popullit, në kuadër të ushtrimit të kompetencave dhe të përgjegjësive ligjore, publikoi Raportin me rekomandime Ex-Officio nr. 365/2018, lidhur me çështjen e ligjshmërisë së procedurave të operimit të hidrocentraleve në vend dhe qasjes në dokumente përkitazi me hidrocentralet.

Në raport janë të përfshira edhe ankesa nr. 82/2019 e z. Dobrivoje Stevanoviq dhe 1200 banorëve  tjerë të Shtërpcës kundër Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, lidhur me çështjen e hidrocentraleve në Komunën e Shtërpcës, si dhe ankesa nr. 753/2018, e z. Adriatik Gacaferi, përfaqësues i organizatës joqeveritare “Evironmentaly Responsible for Action” (ERA), kundër Komunës së Deçanit dhe ankesa nr. 576/2019, nga znj. Albulena Nrecaj, në emër të OJQ “INPO”, kundër Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, që kanë të bëjnë me kufizimin e së drejtës për qasje në dokumentet që kanë të bëjnë me hidrocentralet.


Avokati i Popullit, nga analiza e tërësishme, ka vërejtur se procesi lidhur me hidrocentralet në vend është përcjellë me mangësi të vazhdueshme sa i përket aspektit procedural tredimensional, qasjes në informata, pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje dhe qasjes në drejtësi.

Avokati i Popullit, duke marr parasysh ndikimin e hidrocentraleve në mjedis, mangësitë lidhur me respektimin e së drejtës së qytetarëve për qasje në informata, të drejtë së pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje dhe qasjes në drejtësi, si dhe pakënaqësitë e qytetarëve, dhe shoqërisë civile, nëpërmjet raportit kërkon vëmendjen e shtetit që t’i balancojë interesat publike me ato ekonomike, duke vlerësuar me kujdes interesin në mes të rëndësisë së prodhimit të energjisë nëpërmjet hidrocentraleve në vend në raport me ndikimin në mjedis që mund të jetë i rëndë dhe i pariparueshëm.

Raporti ka për qëllim të tërheqë vëmendjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, të Komunës së Deçanit, të Komunës së Shtërpcës dhe të autoriteteve të tjera kompetente për publikimin e dokumentacionit lidhur me ligjshmërinë e hidrocentraleve në vend, respektimin e procedurave të pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje, dhe qasjes në drejtësi.

Raporti jep rekomandime specifike dhe konkrete që Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, komuna e Deçanit dhe e Shtërpcës, të bëjnë publike tërë dokumentacionin lidhur me operimin e hidrocentraleve në Deçan dhe në Shtërpcë, si dhe Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial i Kosovës të ndërmarrin masa që rastet që lidhen me hidrocentralet t’i trajtojnë me prioritet.

Më 17 korrik 2019, Avokati i Popullit iu ka drejtuar ministrit të MEA-së me Kërkesë për masë të përkohshme në lidhje me çështjen në fjalë.

Ndërkohë, raportin e plotë mund ta lexoni këtu https://bit.ly/2YFCmh1

Lexo edhe

Video