Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës i ka dënuar sjelljet e dhunshme të protestuesve në veri të vendit, ndërsa nga Qeveria ka kërkuar koordinim me aleatët ndërkombëtar. Kryetari i PShDK-së, Zef Morina, ka folur në një konferencë për media ku edhe ka bërë të ditur riorganizimin e degës në Prishtinë. Aty, Arbër Prenaj ka marrë drejtimin e kësaj dege.
Morina ka thënë se grupet kriminale serbe janë duke i keqpërdorur qytetarët serb në veri të vendit.Ai ka kërkuar që institucionet e Kosovës të jenë në koordinim me aleatët, lidhur me veprimet që ndërmarrin.
“Kërkojmë nga Qeveria të mos shikojë interesat partiake dhe të bëjë veprime të pamatura duke mos i koordinuar veprimet e tyre me amerikanët, evropianët dhe miqtë tanë. Këtë po e them, ndoshta tingëllon keq, por po shihen veprimin të cilat kanë ardhur pas ngjarjeve, nga miqtë tanë, na jep me kuptu që nuk janë mirë të koordinuara”, ka thënë ai.
“Rifillimi i aktiviteteve politike në Prishtinë është vetëm rinisja e një rrugëtimi të gjatë dhe të shkëlqyer drejt ndryshimit pozitiv. Kemi përpara sfida të mëdha, por besoj që së bashku, si një forcë e bashkuar do të arrijmë të bëjmë ndryshime të rëndësishme", ka thënë ai.
E nënkryetari i PShDK-së, Anton Shala, ka thënë se kjo parti ka bërë shumë për vendin andaj sipas tij duhet të ketë një zë aktiv e të fuqishëm në skenën politike.
Partia Shqiptare Demokristiane do të mbajë konventën e partisë rreth datave 15 deri më 20 qershor.