Në turneun e Kick boksit që u mbajt vikendin e kaluar në Cetinje të Malit të Zi, ndodhi një incident aspak i hijshëm. Në fakt, gjyqtari nga Bosnje e Hercegovina, Feđa Trbonja e goditi me trofe trajnerin e kickboxit të Fight Club Arbër, Migjen Basha.
Incidenti ka ndodhur pas meçit të garuesit nga Kosova, Nart Mehmeti dhe garuesit nga Podgoriva Luka Heber, luftë e cila përfundoi me fitoren e kickboksierit vendas.
Një ngjarje të tillë, kryetari i Federatës së Kick boksit të Kosovës, Fatmir Makolli po e konsideron si “shumë të rënë”
“Kjo është një ngjarje shumë e rëndë që ka ndodhur në Cetinje (të Malit të Zi) ndaj trajnerit tonë...Shihet qartë aty se çfarë reagimi ka pasur referi, mendoj që ai ka qenë shumë i ngarkuar dhe është ndonjë nacionalist shumë i madh, por sipas disa të dhënave, ai është edhe serb dhe në atë mënyrë të reagojë unë për vete jam befasuar, nuk kam parë ngjarje të tillë aq të keqe duke e sulmuar trajnerin”, thotë fillimisht Makolli.“Dihet që ne si shtet ndoshta e kemi penguar, e pengojnë shqiptarët kur marrin pjesë dhe e ka pritur ndoshta edhe momentin. Nuk e di a i keni dëgjuar sharjet dhe ofendimet që janë bërë ndaj shtetit tonë nga publiku dhe ne duhet të reagojmë shumë fuqishëm për t’i ndërprerë këto në të ardhmen”, thekson Makolli.
Makolli bënë të ditur se tashmë është takuar me Presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqin dhe se së shpejti pritet të dalin me një reagim të përbashkët për ta dënuar këtë incident.