PSD quan “zhvatës” qeverinë Kurti, arrestohet Dardan Molliqaj dhe aktivistë të tjerë

Në makinat zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, zyrtarë të PSD-së kanë ngjitur tiketa me mbishkrimin “zhvatës”. Këta të fundit e kanë quajtur zhvatje vendimin për taksën shtesë të regjistrimin të makinës. Sipas tyre, kështu edhe kjo qeveri po krijon monopol për një kompani. Policia ka ndërhyrë për të ndërprerë këtë aksion duke arrestuar kryetarin e PSD-së dhe aktivistë të tjerë.

Anëtari i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi tha se janë të indinjuar për kontratën që Qeveria e Kosovës i dha një kompanie private.


“Sot ne përmes këtij aksioni simbolik kemi dashur që të shprehim indinjatën tonë mbi një kontratë që Qeveria e Kosovës ia dha një kompanie private. E cila kontratë u bë që t’ua jap 2 milionë euro në vit kompanisë private, jo për produktin që e bën, i cili produkt jepet me çmim pesëfish më të lirë mund të blihet. I cili produkt do të mund të bëhej nga shteti, është fjala për letra ngjitëse, të cilat do t’iu kushtojnë qytetarëve të Kosovës nga pesë euro. Do të kryhen nga një kompani e cila ka marrë këtë kontratë pa konkurrencë. Është fjala për monopol, është kompani që ka vetëm tre punëtore”,
ka deklaruar Krasniqi.

Ai e ka quajtur skandaloz, arsyetimin e zëvendësministrit Hysen Durmishi, i cili ka thënë se ky është vendim i qeverisë së kaluar.


“Problemi është se çfarë po tentohet të bëhet përmes kësaj. Po tentojnë me formalizuar regjistrimin e makinave në mënyrë absolute. Në mënyrë që ato 30 për qind të makinave që janë të paregjistruara, me i regjistrua edhe me i detyruar qytetarët sa më shumë me i regjistrua. Dhe këtu kemi të bëjmë me makina të cilat nuk janë të regjistruara prej pjesës më të madhe të shoqërisë. Çfarë po ndodhë? Përmes këtij formalizimi, që nuk i paraprin një projekt i barazisë ekonomike, po u merret të varfërve, qytetarëve të Kosovës për me i akumulua këto pare tek një kompani”, ka shtuar Krasniqi.

Më tej, ai ka shtuar se qeveria aktuale ka hequr dorë nga kauzat për mirëqenie dhe barazi.

“Krejt këto, pushimet luksoze, ndërrimi i stilit të jetesës, xhipet të cilëve nuk iu zbresin, keqpërdorimet, punësimet nepotiste, familjare dhe partiake, rritja e kontrollit ndaj shtetit, krejt këto janë vetëm pasoja të këtij kapërcimi të madh të kësaj shmangie të madhe konceptuale”, u shpreh ai.

PSD përmes një shkrimi në rrjetin social facebook ka kërkuar që urgjentisht që Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Nol Nushi, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti, Frashër Krasniqi, Ali Krasniqi dhe Korab Korça të lirohen menjëherë nga arrestimi.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.

error: