PSD për rastin Berishaj: Kemi të bëjmë me piramidë institucionale e shpëlarje parash

PSD për rastin Berishaj: Kemi të bëjmë me piramidë institucionale e shpëlarje parash

Partia Socialdemokrate sot ka organizuar një aksion simbolik duke vendosur disa makina të larjes para objektit të Qeverisë së Kosovës në shenjë proteste ndaj mos veprimit të institucioneve të Kosovës ndaj akuzave për korrupsion të ambasadorit Martin Berishaj.

Nënkryetari i kësaj partie, Zgjim Hyseni, ka thënë që është bërë një javë që kur ka ndodhur skandali me ambasadorin Berishaj në Zagreb, ndërsa institucionet e vendit vazhdojnë të heshtin.

“Po bëhen një javë prej që ka plasur skandali me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Kroaci. Të gjithë flasin, por vetëm institucionet dhe eprorët e ambasadorit po heshtin. Ambasadori Martin Berishaj e ka hapur një xhirollogari në Mal të Zi, me vetëm veten e tij punëtor dhe 600 mijë euro tërheqje, paratë në dorë dhe tani në strajcë. Prejardhja e parave është Beogradi, ne e dimë që kushdo që bënë tregti me Beogradin, pavarësisht cila është kompania, është tepër e vështirë mos të bie në rrjetën monopol të ashtuquajturës mafi energjetike e Ballkanit, dhe të mos jetë i lidhur me Kompanitë EFT dhe Roud Knap që e kontrollojnë gjithë këtë treg. E këto kompani janë të lidhura me emrat famëkeq, Fazlliq, Stanishiq. Ambasadori Berishaj është i sanksionuar prej Malit Zi, kompanisë tij iu kanë bllokuar llogaritë për shkak të evazionit fiskal”, tha Hyseni.

Ai ka thënë që mjafton fakti që ambasadori Berishaj nuk i ka deklaruar kompanitë në Agjencinë antikorrupsion, për ta thirrur në përgjegjësi me procedura ligjore.


“Ambasadori për më tepër nuk i ka deklaruar këto kompani në Agjencinë antikorrupsion, ky fakt ka mjaftuar që ai të thirret në përgjegjësi, sepse sipas ligjeve në Kosovë, mos deklarimi i pasurisë ose deklarimi i rrejshëm përmban vepër penale. Për me tepër ambasadori Berishaj i paska katër nënshtetësi, edhe sllovene, malazeze, shqiptare dhe kosovare. Ai del të jetë ambasador dhe profesor, e paramendo të njëjtën kohë sekser dhe tregtar i energjisë”, tha ai.

Nënkryetari i PSD-së ka përmendur edhe faktin me udhëheqësit e KEK-ut, duke thënë se ata janë emëruar nga Qeveria Kurti.

“Fakti që e kemi mësuar dje është më së shumti shqetësues, që ky fakt, e gjithë kjo aferë nuk është e izoluar me emrin dhe personalitetin e ambasadorit, sepse dje është kuptuar që udhëheqësit e KEK-ut kanë qenë bashkë me ambasadorin Berishaj dhe kanë bërë negociata atje. Ata e pranuan vetë. Ndërsa këta udhëheqës të KEK-ut nuk janë mbetje e PAN-it, janë udhëheqësit e emëruar tash vonë prej Qeverisë Kurti. Është Nagip Krasniqi që e ka pranuar vetë. E gjithë kjo na bën të kuptojmë se nuk kemi të bëjmë me një rast të izoluar, por jemi duke folur  për një ngjarje që ka struktura dhe mbi të gjitha ka piramidë”, tha Hyseni.

Ai ndërkaq ka akuzuar drejtuesit e shtetit për mos veprim ndaj ambasadorit Berishaj.

“Për këtë çështje secila ditë që kalon e ambasadori Berishaj vazhdon të jetë në detyrë, ne kemi drejt të besojmë që udhëheqësit e shtetit, kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani janë në mënyrë direkte të lidhur me këtë punë, përndryshe nuk ka asnjë shpjegim për këtë heshtje dhe për këtë mungesë të veprimeve. Ne kemi parë veprime hetimore për nga 20 euro, në vitin 2020/21 janë 12 milionë euro tregti me rrymë që i paskan bërë këta e ndërkohë asnjë veprim”, tha ai./E.Krasniqi/

Lexo edhe

Video