PSD: Murati s’mund të jetë një ministër i Kosovës së çliruar nga UÇK-ja

Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) kërkoi sot dorëheqjen e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për shkak të deklarimeve të tij për veteranët e UÇK-së.

Kjo parti paralajmëroi protestë më 6 korrik në orën 19:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” me kërkesën për shkarkimin e Muratit.

Në një konferencë për media, kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj theksoi se kanë parë disa deklarata për të sulmuar dhe denigruar përpjekjen e një populli për çlirimi.

Qeveria e Kosovës, sipas tij, jo vetëm që nuk po reagon qysh duhet, por në një farë forme e ka ushqyer këtë sentimentin antiUÇK.


“Kemi vendosur që duhet të organizohet protestë, e cila ka për qëllim kërkesën ndaj qeverisë së Kosovës për shkarkimin e këtij ministri. Ajo çka kemi parë këto ditë, kemi parë disa deklarata të ministrit në detyrë të Financave, i cili e ka sulmuar, përbuzur, denigruar përpjekjen e një populli për çlirim. E keqja e kësaj vjen e shtohet, ku i njëjti ministër, kanë kaluar më tepër se 48 orë, nuk e ka marrë mundin as të shpjegohet. Pra, nuk po bëhet fjalë vetëm çka ka thënë, por ai as që po flet, sepse është e qartë se ajo çka ka thënë atëherë, është bindja e tij. Për këtë arsye ai ka zgjedhur të fshihet. E keqja e radhës që e bëri edhe më të papranueshme këtë situatë, është mbrojtja që i bëri kryeministri sot i Kosovës”, theksoi ai.

Ndërsa Natyra Kuqi nga ky subjekt jo parlamentar, tha se ministri Murati nuk mund të jetë ministër i Kosovës që është çliruar nga UÇK-ja.

“Ministri Hekuran Murati nuk mund të jetë një ministër i Kosovës, e cila është çliruar nga UÇK”, tha Kuqi. 

Ndaj ministrit Murati, sot ka reaguar edhe partia më e madhe opozitare, PDK-ja, e cila ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti largimin e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve.

Lexo edhe

Video