PSD: Molliqaj u arrestua pa fletarrest

PSD: Molliqaj u arrestua pa fletarrest

Partia Socialdemokrate (PSD) ka reaguar pas arrestimit të Dardan Molliqaj, duke thënë se policia ka përpiluar urdhër-arrestin vetëm pas arrestimit të kreut të kësaj partie.

Molliqaj u arrestua sonte derisa po shkonte në një debat televiziv.  

PSD në komunikatën për media thotë se Dardan Molliqaj u arrestua lidhur me incidentit në protestën kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike dhe se ftesat për intervistim nuk është realizuar në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.


“Privimi i dhunshëm nga liria i Dardanit përbën abuzim me pushtetin nga ana e të gjithë zinxhirit përgjegjës brenda sistemit të drejtësisë. Arrestimi i tij është krejtësisht jo proporcional dhe në shpërputhje me kushtet ligjore për një veprim të tillë. Ky arrestim ka mund të ngjajë sot në çdo kohë. Ai ka qenë në zyrë dhe nëpër takime të ndryshme në Prishtinë përgjatë këtyre dy ditëve. Mirëpo, arrestimi, pa fletarrest, u bë në hapësira të një televizioni. Tash, pasi që është arrestuar, po kuptojmë që urdhër-arresti i policisë është duke u përpiluar. Kjo tregon qartë që organet e drejtësisë, duke arrestuar në mënyrë të jashtëligjshme e skandaloze Dardan Molliqajn, është vënë në shërbim të pushtetit të Kurtit”, thuhet në reagim.

Partia Socialdemokrate thotë se do të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore kundër të gjithë atyre që sonte abuzuan pushtetin e tyre për ta privuar nga liria Dardan Molliqaj.

“Arrestimi i panevojshëm i sotëm është i motivuar politikisht dhe është sulm i drejtpërdrejtë ndaj veprimeve tona opozitare”, përfundon reagimi i PSD-së.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.