PSD kërkon dorëheqjen ministrave Vitia dhe Sfeqla, si dhe heqjen e karantinës

PSD kërkon dorëheqjen ministrave Vitia dhe Sfeqla, si dhe heqjen e karantinës

Partia Socialdemokrate pas vdekjes së 28 vjeçarit nga Gjilani në Qendrën e Konvikteve, ka kërkuar ndjejke penale për personat që kanë qenë fajtorë, dorëheqjen e ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministrit tjetër në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeqla, si dhe mbylljen e karantinës.

Anëtari i PSD-së, Nol Nushi në një konferencë për media, tha se sot janë bërë tetë ditë në Qendrën e Konvikteve të improvizuar në karantinë, ku humbi jetën një 28 vjeçar dhe po kaq ditë janë bërë nga heshtja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për këtë çështje.

Ai tha se ka shumë pretendime për keqpërdorime të shumta në karantinë.

“Në raste të tilla, të rënda siç ishte rasti tragjik i djalit nga Gjilani, hetimet duhet të jenë urgjente dhe rezultatet duhet të jenë tepër të shpejta sepse janë pretendime shumë të rënda të shkeljeve të ndryshme. Tash janë bërë tetë ditë, ende nuk kemi një raport zyrtar se çfarë ka ndodhur, ende nuk kemi një raport ku tregojmë se si ka funksionuar zinxhiri komandues aty dhe ku janë gjetur shkeljet, cilat janë dëshmitë, sepse nuk mungojnë as dëshmitarët dhe dëshmitë që të arrijmë në këtë përfundim. Nuk po them se duhet të mbyllen hetimet por në këso raste duhet të ketë raportim të shpejt në mënyrë që të editohen të gjitha keqkuptimet dhe keqinterpretimet, kjo ende nuk ka ndodhur. Personat të cilët kanë qenë fajtor aty duhet të dalin para drejtësisë dhe duhet të ndiqen penalisht”, tha ai.

Nushi shtoi se edhe ministri Sveqla dhe Vitia duhet të japin përgjegjësi politike.

“Që të dy këta, ne nuk po themi që janë fajtor por po themi me sigurinë e plotë se janë përgjegjës. Djali i ri që vdiq në konvikte, është mbajt aty pa dëshirën e tij dhe që është më e keqja pa pasur asnjë faj, andaj dorëheqja e ministrit Vitia dhe Sveqla, është hapi i parë që të sigurohemi që të kemi një hetim të pavarur dhe të pa ndikuar politikisht, duke e ditur se të dy këta ministra kanë shfaqur një zellë të jashtëzakonshëm të mosndjekjes së rregullave dhe ligjeve por të ndjekjes së urdhrave të shefit të tyre që është kryeministri Kurti”, tha ai.


Sipas tij, ekzistenca e karantinës çdo ditë po dëshmohet e panevojshme dhe absurde se si qëndron e hapur.

“Ekzistenca e karantinës çdo ditë po dëshmohet e panevojshme dhe absurde se si qëndron e hapur…….Qendra e konvikteve nuk është një burg për ata që nuk janë të disiplinuar në ndjekjen e rregullave që i ka caktuar Qeveria. Qendra e konvikteve duhet të shërbej vetëm për parandalimin e virusit nëse ajo ka ndonjë efekt por përveç që nuk po e ka atë efekt, ajo tashmë është shndërruar në një metodë kërcënimi ku qytetarët e shumtë, në rast se nuk i respektojnë masat e lëvizjes, dërgohen aty si ndëshkim. Kjo është totalit absurde dhe cenim i demokracisë, cenimi i lirisë dhe të drejtave, pavarsissht pandemisë, nuk guxon të ndodhë e po frikësohem se Kosova po futet në rendin e atyre vendeve që tashmë kanë filluar të shkelin demokracinë”, tha ai.

Ai shtoi se tash që po u afrohemi masave lehtësuese, do të duhej të bëhet një rikapitullim të sjelljes së shtetit tone ndaj kësaj pandemie.

“Jemi dëshmitarë që masat që nga fillimi kanë qenë më rigoroze sesa që duhej, e për rrjedhojë kanë shkaktuar dëme shumë të mëdha ekonomisë dhe jetës shoqërore në përgjithësi. Interesi i vetëm i qeverisë kanë qenë shifrat, përmes të cilave tenton ta lavdërojë veten. Sot, shumë shtete janë në masa tepër më të lehta sesa ne. Ne do ta kalojmë krizën e pandemisë, por me këto masa, kjo qeveri ia ka siguruar qytetarëve tonë një krizë të paparë ekonomike. Ekonomia që më shumë se 2 muaj është jashtë funksionit në shumë sektorë. Dhe edhe pakoja e famshme e qeverisë e cila është totalisht e pamjaftueshme dhe e gabuar si qasje, nuk është vënë në funksion ende”, tha ai.

Në fund, Nushi tha se duke e ditur që ka edhe pak ditë në pushtet, Kurti po përkujdeset që krizën ekonomike t’ia lë në dorë qeverisë së ardhshme.

 

 

Lexo edhe

Video