PSD-ja tallet me ministrin Bislimi, i ndan edhe “çmim nobel”

Partia Socialdemokrate ka zhvilluar një aksion para ndërtesës së qeverisë së Kosovë. Në një pankartë të vendosur në hyrje të ekzekutivit, ata kanë improvizuar Çmimin Nobel, të cilin thanë se ia ndajnë ministrit të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi. Kjo u bë pas deklaratave të Bislimit rreth uljes së papunësisë në Kosovë. Sipas Partisë Socialdemokrate, ministri Besnik Bislimi ka problem me qasjen në ekonomi.

“Çmimi për arritje të larta në ekonomi dhe propagandë” thuhej në çmimin e improvizuar të PSD-së, për Besnik Bislimin, ku sipas tyre ky çmim ndahet për arritje që shkojnë përtej imagjinatës njerëzore dhe shkencore.

Natyra Kuçi nga PDS tha se qeveria aktuale e ka shkëputur marrëdhënien me publikun.

Kuçi: Çmimi Nobel për ekonomi prej sot quhet Besnik Bislimi

(Video) 1.15

“Pas sukseseve të njëpasnjëshme në muzikë, e xhudo, pas Rita Orës, dua Lipes e Majlinda Kelmendit, jemi mbledhur sot këtu për të shënuar edhe një zbulues epokal të ekonomisë, Besnik Bislimi. Nga sot Çmimi Nobel për ekonomi do të quhet Besnik Bislimi për ekonomi. E si mund të mos i atribuohet ky çmim një personi i cili para disa ditësh tha se papunësia është ulur për 6.6%, e mbrëmë në ‘Interaktiv’ tha se këto shifra shënojnë edhe më lartë, 7.1%. Në Gjakovë thonë t’u rritë mendja, ndaq me thy qafen”, tha ajo.

Sipas saj, 9 mijë e 946 punëtorë që janë regjistruar të marrin pakon 170 euro po konsiderohen nga ministri Besnik Bsilimi si punëtorë që janë punësuar tani dhe rrjedhimisht kanë ulur përqindjen e papunësisë.


Ajo tha se Bislimi, mbrëmë në një emision televiziv, ka thënë se në papunësi nuk hyjnë personat që nuk janë të regjistruar.

Kuçi shtoi se 100 mijë punëtorë që janë në pa kontrata, nuk ekzistojnë për ministrin e Financave.

Kuçi:  Qeveria aktuale dallon me të kaluarat vetëm në ndërrim të formulës

(Video) 3

“Çka po dallon kjo qeveri dhe ky ministër me qeveritë e kaluara është se e ka ndërruar formulën. Tani ai llogaritë vetëm tregun e bardhë, ata që kanë kontrata, ata të cilët nga tregu jo formal po kalojnë për pako 170 euro në tregun e bardhë po i shtin në formulë dhe po e ulë papunësinë duke konsideruar se tregu jo formal tani ra, meqenëse u regjistruan 9 mijë e 946 punëtorë që kanë ekzistuar edhe më herët”, tha ajo.

Pankartën me fotografinë e Besnik Bislimit të improvizuar si Çmim Nobel, anëtarët e PSD-së e kanë lënë në hyrje të ndërtesës së qeverisë.

 

Lexo edhe

Video